Kategoria e Parë e futbollit shqiptar bëhet gati për javën e saj të dytë, e cila është e shpërndarë përsëri të shtunën e të dielën. Flamurtari – Korabi, që zhvillohet në stadiumin e qytetit të Vlorës të shtunën në ora 15:00, do të jetë sfida, e cila do të vijë drejtpërsëdrejti në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Vlonjatët tashmë kanë ndërruar trajnerin, kjo pas dorëheqjes së Dritan Resulit menjëherë pas humbjes së javës së parë me Luzi 2008.
Marselo Troisi kërkon ta nisë me këmbë të mbarë, ndonëse përballë do të ketë një skuadër solide si Korabi, që e ka nisur këtë kampionat me barazimin shtëpiak ndaj Apolonisë, 0-0. Lushnja e Burreli e nisin këtë të shtunë sezonin e tyre, ndërsa një javë më parë sfida mes tyre u shty për shkak se fusha e stadiumit “Roza Haxhiu” nuk ishte gati.
Matjanët presin Tërbunin me shpresën se do të gjejnë fitoren e parë, kurse verdhejeshilët udhëtojnë në Berat, atje ku Tomori ka të tjera ambicie. Një sfidë e ekuilibruar luhet në Lezhë mes Besëlidhjes dhe Besës, dikur dy skuadra, që bënin emër në elitën e futbollit shqiptar.
Apolonia pret Turbinën, kurse në “Tofik Jashari” të Shijakut, Luzi 2008 do të ketë përballë Orikun. E kryesfida e javës së dytë të Kategorisë së Parë, e gjitha me erë Superioreje, është Skënderbeu – Dinamo, që zhvillohet të dielën në ora 17:45. Gjithçka për t’u shijuar dhe në Kategorinë e Parë, atje ku emocionet janë pa mbarim.
JAVA E DYTË
E SHTUNË 10 SHTATOR 2022
Burreli – Tërbuni ora 15:00
Tomori – Lushnja ora 15:00
Besëlidhja – Besa ora 15:00
Apolonia – Turbina ora 15:00
Luzi 2008 – Oriku ora 15:00
Flamurtari – Korabi ora 15:00
E DIEL 11 SHTATOR 2022
Skënderbeu – Dinamo ora 17:45