RTSH Sport Live

Formula 1 dhe Totenhemi, marrëveshje 15- vjeçare

  • 28/02/2023
  • |
  • Të tjera
Formula 1 dhe Totenhemi, marrëveshje 15- vjeçare
Nënshkruhet kontrata me klubin londinez, parashikon ndërtimin e një piste në stadium

Premier Liga Angleze është një nga kampionatet më të bukur të futbollit në botë. Kurse Formula 1 është padyshim kampionati më i bukur i automobilizmit në botë. Dhe të dyja markat padyshim më tërheqëse në botë në fushën e tyre, do të bashkojnë forcat pasi Formula 1 ka nënshkruar një marrëveshje 15-vjeçare me klubin e Totenhem Hotspurit, që parashikon një pistë “go-kart”-i poshtë njërës prej tribunave të stadiumit të skuadrës angleze. Kjo pistë nën tribunën jugore të stadiumit 63,000-vendësh, do të hapet më vonë gjatë këtij viti për garat “go-kart” me makina elektrike, dhe, kur të ketë përfunduar plotësisht, do të jetë pista më e gjatë e mbyllur në Londër.

Pritet që kjo pistë të akreditohet nga Federata Angleze e “Go-Kart”-it, çka nënkupton se mund të përdoret për kampionatet kombëtare, ndërsa edhe klubi i Totenhemit do të ngrejë një akademi për pilotët e garave me makina. Përveç kësaj, Formula 1 dhe klubi anglez pritet të hartojnë dhe të vënë në zbatim veprimtari edukative për shkollat, që të nxitin pjesëmarrjen e të rinjve në motorsporte dhe të shpalosë para tyre mundësi dhe rrugë të karrierës në inxhinieri dhe zhvillimin e programeve kompjuterike. Po kështu, do të hartohet edhe një strukturë praktikantësh dhe programe karriere për zonën përreth, për femrat dhe grupet e papërfaqësuara në industrinë e motorsportit.