RTSH Sport Live

Formula 1: FIA hedh dyshime mbi Red Bull

  • 12/05/2021
  • |
  • Formula 1
Formula 1: FIA hedh dyshime mbi Red Bull
Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit ka hedhur dyshime mbi skuadrën Red Bull, përsa i përket fleksibilitetit të krahut të pasmë të makinës

Me anë të një deklarate, drejtuar të gjitha skuadrave, FIA, ka përshkruar testet e reja, tepër të rrepta që ka bërë, duke kontrolluar fleksibilitetin e krahut të pasmë të makinës. Dyshimi është i ligjshëm, pas verifikimeve aktuale, se krahët mund të përkulen përtej limiteve të lejuara, kur makina është në lëvizje.

Pra rikthehet diskutimi mbi një temë tepër të trajtuar edhe në të kaluarën nga FIA, mbi nivelin rregullues në përkuljen e krahëve, që ka ardhur gradualisht duke u forcuar. Red Bull është nën vëzhgim me dyshimin se RB16B ka miratuar një dizajn krahu të aftë të përkulet përtej kufijve të vendosura nga rregullorja.

Sipas asaj që raporton Autosport, FIA ka informuar skuadrat se pas verifikimeve teknike të njëvendësheve të garave, të gjitha janë në rregull, sipas asaj që përshkruan rregullorja tenike, por ekziston dyshimi që kur janë në lëvizje, fleksibiliteti i krahut të pasëm, mund të kalojë limitet e përcaktuara.

Dueli midis Mercedes e Red Bull luhet edhe në këtë aspekt, me dyshimin e Brackley që tek Red Bull kanë gjetur një hile për të përkulur më shumë krahun e pasmë. Aktualisht, rregullorja teknike përshkruan, që fleksibiliteti i krahut të pasëm nuk mund të kalojë 3 milimetra ose të rrotullohet më shumë se 1 gradë në mënyrë simetrike në profilet e krahut të pasmë. Nga 15 qershori, kur do të hyjnë në fuqi testet e reja të FIA-s, duke filluar nga Çmimi i Madh i Francës, kontrollet teknike, në përputhje me parametrat, do të jenë më të rrepta.

Në mënyrë të veçantë, kufiri i rrotullimit të krahut të pasmë rreth boshtit qendror do të jetë 1 gradë për 750 rrotullime të bëra, për më tepër ngarkesa vertikale duhet të korrespondojë me një rrotullim.