RTSH Sport Live

Franko Burraj, jashtë finales së Europianit

  • 05/03/2021
  • |
  • Të tjera
Franko Burraj, jashtë finales së Europianit
I pesti në baterinë e dytë kualifikuese të gjysmëfinaleve me kohën 47”45

Franko Burraj nuk arrin dot të shkojë në finalen e Kampionatit Europian të sallave të mbyllura në Torun të Polonisë. Pikërisht në gjysmëfinalen e 400 metrave, teksa ishte në baterinë e dytë kualifikuese, Burraj ka zënë vendin e pestë me 47”45. Është e njëjta kohë që ka pasur edhe në mitingun e Beogradit, ndërsa paraditen e së premtes në garat kualifikuese u rendit i pari me 47”42.

Një bateri e fortë, ndërsa e vendin e parë e pat zënë holandezi Liemartin Bonevacia me 46”75, kurse i dyti slloveni Luka Janeziç me 47”25. Të dy të kualifikuar për në finale, ndërsa nga tre bateri eliminatore të gjysmëfinaleve në garën e madhe të luftës për medalje europiane dolën gjashtë konkurrentë.

Të paktën mes 49 shteteve pjesëmarrëse, apo 18 gjysmëfinalistëve, Franko Burraj u rendit i katërmbëdhjeti. Këtu mbyllet pjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Europian të sallave të mbyllura në Torun të Polonisë, kurse atletika shqiptare do të përqendrohet tashmë për garat e verës, ndërsa aktiviteti më i rëndësishëm janë Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.