RTSH Sport Live

Frikë nga incidentet në derbi, plan të veçantë sigurie për sfidën Milan-Inter

  • 15/04/2024
  • |
  • Itali
Frikë nga incidentet në derbi, plan të veçantë sigurie për sfidën Milan-Inter

Në Milano, sa vjen e ngrihen ethet për derbin. Krahas faktit që aritmetika i jep titullin Interit, në rast fitoreje, tensioni midis dy tifozerive është i dukshëm. Ndeshja është caktuar për t’u luajtur të hënën më 22 prill me fillim në orën 20:45 dhe autoritetet vendore, kanë frikë se ndeshja mund të kthehet në një mundësi për të shkuar përtej futbollit, e të shkaktohen përplasje mes tifozëve.

Pikërisht për këtë arsye, në qytet po studiohet një plan sigurie që përfshin mbylljen e disa rrugëve pranë Duomo-s, ku tifozët zikaltër, do të dynden masivisht për të festuar në rast triumfi dhe shtimin e rreth njëqind oficerëve pranë stadium për të shmangur kontaktet apo përleshjet mes tifozëve në largim të Milanit dhe tifozëve të Interit.

Për sa i përket rivalitetit mes grupeve ultra, ata gjithmonë ka pasur respekt të madh mes njëri-tjetrit dhe ka një pakt të konsiderueshëm paqeje midis kurbave përkatëse në stadium. Por, duke pasur parasysh situatën, është e qartë se shumë pak mund të mjaftojë për të ndezur shkëndijën. Policia do të mundohet ta trajtojë me kujdes dhe me maturi situatën, për më tepër që nuk është hera e parë, në mënyrë që në derbi, si përpara dhe pas tij, të mos krijohen incidente.