RTSH Sport Live

Fundi i ditur i një përballje pa histori

  • 29/07/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Fundi i ditur i një përballje pa histori
Basel imponohet edhe në kthim, Partizani del nga Europa në raundin e dytë

Partizani del nga Conference League në raundin e dytë të kompeticionit, ashtu sikurse ishte kuptuar në fakt kur shorti e vuri përballë gjigantëve zviceranë të Basel e u konfirmua me trisin e marrë në ndeshjen e parë, duke humbur 0-2 edhe në kthim. Një eleminim i parashikuar e që nuk mund ta shmangte dot përzierja e kartave nga Daja me Bardhin si regjist e Muratajn në krahë. Substanca mbetet e njëjtë, me zviceranët që të tërhequr nga Zhegrova e Xhaka, kontrollojnë e dalin përpara pa sforco, por duke goditur shtyllën në minutën e 17.

Trarët i heqin kënaqësinë e golit kosovarit përballë skuadrës shqiptare, ashtu si në ndeshjen e parë, ndërsa Partizani tentoi të përmbante kundërshtarin, pa lënë hapësira koshient se do të ndëshkohej në mundësinë e parë të paraqitur. E atë që e shmangu flamuri i asistentit në minutën e 27, nuk e evitoi dot Hoxha 11 minuta më vonë. Kundërsulmi i zviceranëve që nisi pas një kontrolli të keq të Rrapajt u finalizua nga Stocker, që shënoi golin e tretë në dy ndeshje kundër të kuqve.

Zhegrova lavdinë personale nuk e gjeti as në fund të pjesës së parë, duke lënë të besuarit e Dajës me një humbje minimale, si një stimul për të qendruar në lojë sa më gjatë. Ky ishte në fakt plani i tyre, por Basel e prishi 5 minuta pas rifillimit me golin e dytë. Në zhvillimet e një goditje dënimi në minutën e 50 Quintilla, kërceu mbi të gjithë, duke mposhtur Hoxhën me kokë.

Kualifikimi ishte vendosur shumë më herët, por tani edhe rezultati i ndeshjes për prestigj u komplikua, duke patur parasysh se përpara portës së Lindner të kuqtë i patën rastet të numëruara. Më flagranti ishte ai i minutës së 74′ kur Zhunior kishte mundësinë ideale për të hapur ndeshjen e për ti shënuar një gol zviceranëve që shkojnë në raundin e tretë me një agregat 5-0, që vetëm jep të kuptohen diferencat mes dy skuadrave. Më shumë se kaq, Partizani nuk mund të bënte përballë një formacioni si ai i Basel…