RTSH Sport Live

Futboll në moçal

  • 30/11/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Futboll në moçal
Rikthehen pamjet e fushave me baltë dhe “pishinave”

Futboll në kushte aspak normale. Bëhet fjalë për kategorinë e dytë në vend ku sporti më i ndjekur i shqiptarëve merr trajta nga më të çuditshmet. Fundjavën që lamë pas jugu i Shqipërisë u përfshi nga rreshje të dendura shiu ndërsa fushat u kthyen në moçale brenda pak orësh. Në Gjirokastër dhe Përmet, ishin planifikuar të zhvilloheshin dy duele shumë të rëndësishme për fatet e grupit B, por situata është në kufijtë e komikes. Fusha e stadiumit të Përmetit, pothuajse tërësisht nën ujë, u transformua për 90 minuta në një arenë dyluftimi në ujë.

Pamje që nuk kanë nevojë për koment ndërsa arbitri lejon zhvillimin e ndeshjes mes vendasve dhe Labërisë që u mbyll në favor të miqve 1-0. Një ndeshje që shërben thjesht sa për statistika dhe për të formalizuar një javë tjetër në letër pasi në të tilla kushte, futbolli është tjetërsuar në një sport që në Shqipëri e kemi njohur kryesisht në nivele të tilla, gjysmëamatore. Nuk ndryshon shumë kjo arenë me atë të gladiatorëve në Gjirokastër ku Luftëtari dhe Flamurtari në një duel anormal për kategorinë e dytë, u ndeshën në stadiumin e qytetit jugor të tranformuar në një fushë në gjendje të mjerueshme.

Balta tha fjalën e parë, në një ndeshje që gjithashtu u mbyll 1-0 në favor të miqve por që më shumë se rezultati apo futbolli i luajtur, u lakua për momentet e humorit që shkaktoi jo pak herë. Pamje të tilla ndoshta nuk kanë nevojë për koment por përkojnë një përgjigje se çfarë i shtyn organizatorët dhe njerëzit që e drejtojnë lojën, për ta rikthyer sërish futbollin në vitet 90?