RTSH Sport Live

Giroud ndëshkon Juven, Milani fluturon në Champions

  • 28/05/2023
  • |
  • Itali
Giroud ndëshkon Juven, Milani fluturon në Champions
Një goditje me kokë e francezit në fund të pjesës së parë siguron vendin e 4-ët. Bardhezinjtë mbeten në vendin e 7-të në Ligën e Konferencaës

Në ndeshjen e fundit të javës së 37-të të Serisë A, Milani mundi 1-0 Juventusin dhe siguron një javë para fundit vendin e katërt dhe kualifikohet matematikisht në Champions League, duke qenë se Atalanta është 6 pikë prapa. Nga ana tjetër, banda e Allegrit mbetet në vendin e shtatë që vlen për Ligën e Konferencës. Ndeshja në Allianz Stadium u vendos nga një magji e Giroud në minutën e 40-të: francezi u shkëput nga mbulimi i Gatti-t dhe mundi Szczesny me një goditje të shkëlqyer me kokë. Juventusi sulmoi me pak qartësi dhe iu afrua barazimit në minutën e 92-të me Danilon, gjuajtja e të cilit nga disa hapa larg u refuzua nga këmba e Kalulu.

Mjaftoi një goditje për të siguruar Champions League, tri pikë të rëndësishme dhe të merituara në fund të një ndeshjeje shumë fizike që dha pak emocione. Në momentin vendimtar, Milani ngjitet pas Olivier Giroud-it të zakonshëm, i cili ka tërhequr skuadrën gjatë gjithë sezonit, pavarësisht 36 viteve të tij. Goli që rrëzoi Juventusin dhe fshiu shanset e mbetura të bardhezinjve për vendin e katërt, erdhi me specialitetin e shtëpisë, goditjen me kokë, një goditje e pabesueshme që mbërriti pothuajse në fundin e pjesës së parë, në goditjen e parë të rrezikshme në pasqyrë.

Francezi është një snajper, tani në kuotën e 12 golave në kampionat. Juve, nga ana tjetër, konfirmoi sërish të metat e zakonshme: një lojë e parashikueshme pa përshpejtime dhe mungesën e një qendre përpara. Pa Vlahovic, as Kean dhe as Milik nuk kanë arritur të depërtojnë nëpër fanellat e kuqezinjve. Nëse shtojmë më pas një lodhje të caktuar dhe të pashmangshme te njerëzit kyç si Rabiot, Danilo dhe Kostic, rezultati nuk befason shumë në një sezon të mallkuar nga të gjitha këndvështrimet.