RTSH Sport Live

Hamilton “kanibal”, Vershtapen kënaqet me vendin e dytë

  • 21/11/2021
  • |
  • Formula 1
Hamilton “kanibal”, Vershtapen kënaqet me vendin e dytë
Garë pa histori në Katar ku kampioni i botës ngushton diferencën me holandezin

Shumë Mercedes dhe shumë Lewis Hamilton në garën e kësaj fundjavë për Çmimin e Madh të Katarit që u zhvillua në Losail ku kampioni i botës siguroi suksesin e dytë rresht dhe hapi edhe më shumë garën për vendin e parë që vazhdon të mbahet nga Max Verstappen. Holandezi limitoi dëmet me një vend të dytë shumë komod për mënyrën se si rrodhën gjërat në fundjavë pasi e nisi garën me penalitetin e pesë vendeve pasi nuk respektoi flamurin e verdhë gjatë provave zyrtare. Gara e Katarit u mbyll praktikisht përpara nisjes me një Hamilton në formë fantastike që e çon në -8 diferencën me pilotin e Red Bulit, i cili ndien frymëmarrjen e britanikut kur duhen edhe dy gara nga fundi i sezonit.

Max gjithsesi ishte fantastik në reagimin e tij duke rikuperuar menjëherë që në nisje tre pozicione duke u drejtuar drejt pozicionit të dytë në klasifikim që arriti ta ruante pa shumë vështirësi deri në fundin e garës edhe pse e pati shumë të vështirë për të ruajtur hapin e kampionit të botës që pas garës së Meksikës ka treguar bashkë me njëvendëshen e tij se vijnë nga një planet tjetër. Nëse arrin të ruajë këtë hap edhe në dy garat e fundit me dy vende të para, pak rëndësi ka klasifikimi i Verstappen por asgjë nuk është vendosur ende pasi pistat në Abu Dhabi dhe Arabinë Saudite kanë karakteristika tërësisht të ndryshme edhe pse do të garohet në kushte të ngjashme klimaterike.

Nuk arriti të linte gjurmë në këtë garë Bottas që pas startit katastrofik u largua nga gara xhiron e 52-të ndërsa Fernando Alonso u kthye ai i kohëve të arta me një vend të tretë të merituar duke e prerë finishin përpara pilotit tjetër të Red Bull, Sergio Perez. Vetëm vendi i pestë për Sebastian Ocon ndërsa Ferrari me Sainz dhe Leclerc e mbyllën garën respektivisht në vendet 7 dhe 8.