RTSH Sport Live

Hysaj zhgënjen në disfatën e Lacios

  • 03/10/2021
  • |
  • Itali
Hysaj zhgënjen në disfatën e Lacios
Strakosha në stol, Murriqi nuk arrin të zhbllokohet

Lazio rikthehet me këmbë në tokë. Pas fitores në derbi dhe suksesit në Europa League, skuadra e Maurizio Sarrit mori një leksion nga Bologna në “Dall Ara” ku u mund me rezultatin e thellë 3-0. 90 minuta katastrofike për skuadrën bardhekaltër ku Elseid Hysaj u aktivizua titullar por u zëvendësua në pjesën e dytë kur ndeshja kishte marrë një rrjedhë pa kthim. Paraqitje për t’u harruar për mbrojtësin shkodran që mund të kishte bërë më mirë në rastin e golit të dytë të emiljanëve, teksa Theate i shpëtoi mbulimit të tij duke shënjestruar saktësisht katërkëndëshin e Reinas.

Pas këtij goli, Lazio nuk arriti të ringrihej, madje pësoi edhe të tretin në pjesën e dytë për shkak të gafës së spanjollit që mbron katërkëndëshin bardhekaltër. Strakosha e ndoqi gjithë sfidën nga stoli duke mos siguruar ende asnjë minutë gjatë këtij sezoni në Serie A, ndërsa zhgënjim rezultoi edhe Vedat Murriqi që nuk përfitoi nga mungesa e Immobiles. Sulmuesi i Kosovës e nisi ndeshjen që nga minuta e parë duke mos lënë asnjë gjurmë për të regjistruar një tjetër ndeshje zhgënjyese.