RTSH Sport Live

Interi, Asllani një mister ende për t'u zbuluar: Paradoksi është se…

  • 22/03/2023
  • |
  • Itali
Interi, Asllani një mister ende për t'u zbuluar: Paradoksi është se…
Çfarë ka ndodhur me Kristjan Asllanin? Te Interi nuk e ka parë fushën praktikisht prej 9 ndeshjesh dhe ka një paradoks për të

Kristjan Asllani te Interi nuk ka parë fushë për 8 ndeshje radhazi, thuajse 9 duke pasur parasysh se në derbin e 5 shkurtit ka hyrë me një minutë të mbetur. Corriere dello Sport ka folur sot për momentin e ish-lojtarit të Empolit, i cili aktualisht është i impenjuar me kombëtaren kuqezi, pavarësisht aktivizimit të tij të pakët te zikaltërit.

“Një tunel i pafund që e ka vendosur gjithnjë e më shumë mënjanë, një prani e përhershme në pankinë që mund të prishet të hënën e ardhshme, kur Shqipëria e tij do të nisë kualifikueset për Kampionatin Evropian me një udhëtim në Poloni”.

“Për shkak të pushimit të imponuar nga ekipet kombëtare, Milano është larg për momentin, por ka pikëpyetje për menaxhimin e asaj që ishte blerja e vetme reale në merkaton e zikaltërve, me detyrimin e shpagimit që tashmë është bërë realitet - sipas marrëveshjeve - në bazë të pikës së parë të fituar nga skuadra në shkurt. Ai është vetëm 21 vjeç, drejtuesit e vlerësojnë si një aset nga një perspektivë, edhe nëse Simone Inzaghi nuk e konsideron gati dhe as nuk e ka aktivizuar në javët e fundit, kur kalendari është ngjeshur, angazhimet dhe rotacionet kanë të bëjnë me elementë të tjerë”.

“Asllani përjeton paradoksin e të luajturit më pak tani (praktikisht asnjëherë) krahasuar me fazën në fillim të sezonit, kur nisi si titullar kundër Romës dhe më pas kundër Sassuolos, duke u zëvendësuar në pjesën e parë me parakalimin përfundimtar të Calhanoglu në dhomën e kontrollit”.

 “Drejtuesit e Interit e kanë trajtuar tashmë çështjen me trajnerin dhe presin më shumë aktivizim. Thirrja e Asllanit me Shqipërinë do të bëjë të pamundur çdo eksperiment tjetër në Pinetina gjatë kësaj pauze, por nevoja mund të vijë direkt nga fusha në nëntë sfidat mes Fiorentinës (1 prill) dhe Lazios (30 prill). Idetë, energjitë dhe zgjidhjet e reja mund ta nxjerrin Interin nga telashet në një muaj zjarri”.