Dy trajnerë bjellorusë kanë humbur akreditimin e tyre olimpik pasi akuzohen se janë përpjekur të detyrojnë një sportiste që të largohet nga Lojërat Olimpike të Tokios. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka konfirmuar se Artur Shimaku dhe Juri Maiseviçi janë larguar nga Fshati Olimpik, ndërsa vazhdon një hetim nga organizmi që qeveris lëvizjen olimpike botërore. Çështja e Kristina Cimanovskajas tërhoqi vëmendjen botërore, pasi ajo nuk pranoi urdhrin e delegacionit të saj për t’u kthyer në shtëpi.
Ajo tashmë ndodhet në Poloni, ku është pajisur me një vizë humanitare, ndërsa çështja ka rikthyer vëmendjen tek Bjellorusia, që sundohet nga Presidenti Aleksandër Lukashenko që nga viti 1994. Vitin e shkuar, protestat masive kundër rizgjedhjes së tij në këtë post u shtypën dhunshëm. Në një deklaratë të IOC-së sqarohet se heqja e akreditimit për dy trajnerët është një “masë e përkohshme, në interes që qetësisë së sportistëve të Komitetit Olimpik Kombëtar të Bjellorusisë, që janë ende në Tokio”.
IOC-ja sqaroi se është ngritur një komision disiplinor për të hetuar këtë incident dhe se “të dy trajnerët do të kenë mundësi të dëgjohen”. Ndërkaq, Komiteti Olimpik Bjellorus lëshoi një deklaratë të premten, ku sqaronte se po punonte me IOC-në “për të sqaruar arsyet e vendimit të marrë së fundmi” dhe premtoi që ta mbronte delegacionin olimpik nga “çdo lloj forme të diskriminimit”.
Komiteti Olimpik Bjellorus konfirmoi se trajnerët do të kthehen në vendin e tyre, por theksoi se ata janë të drejtë e apelimit të vendimit. Çështja e atletes bjelloruse tërhoqi madje vëmendjen edhe të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, ndërsa Presidenti i IOC-së, Tomas Bah, deklaroi se ishte shumë i lumtur që sportistja ishte e sigurt në Poloni dhe e cilësoi të papranueshme atë që kishte ndodhur me të.