RTSH Sport Live

Ivan Gvozdenoviç e sheh Skënderbeun në Superiore

  • 12/01/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Ivan Gvozdenoviç e sheh Skënderbeun në Superiore
Serbi i pankinës korçare kërkon tre futbollistë për të plotësuar skuadrën e tij

Skënderbeu të mërkurën ka luajtur një ndeshje miqësore me Devollin, të cilën korçarët e kanë fituar 5-0. Kjo ishte dalja e parë e skuadrës korçare në fushën e lojës për vitin 2023, ndërsa trajneri Ivan Gvozdenoviç është shfaqur pas ndeshjes i kënaqur për atë që ekipi dha në këtë miqësore.

"Skuadra ishte mirë. Janë aktivizuar të gjithë. Kemi fituar 5-0. Jemi në rrugën e duhur, megjithëse ka ende punë për të bërë. Janë dhe dy javë deri në fillimin e kampionatit. Nuk them që jemi në atë nivel që kërkoj unë, por gjithsesi mirë", thekson Gvozdenoviç në përfundim të miqësores me Devollin.

I pari i pankinës korçare e tashmë të qartë atë që kërkon nga skuadra në fushën e lojës, ndërsa thotë:

"Unë kërkoj që skuadra të luajë futboll. Një futboll total dhe të bëjë presingun në të gjithë fushën. Të luajmë përpara dhe të shënojmë sa më shumë. Pra në total të jemi agresiv në lojën tonë përballë kundërshtarit në kuptimin e mirë të fjalës"

Gvozdenoviç i ka të prera dhe kërkesat për merkaton dimërore, sepse vetëm kështu mund të formohet Skënderbeu i denjë që ai kërkon.

"Nga merkato e dimrit presim të plotësojmë tre pozicione të domosdoshme në fushën e lojës. Në duhet një qendërmbrojtës, një mesfushor me tipare mbrojtëse, apo Nr.6, por dhe një mesfushor të majtë. Unë jam i sigurtë që presidenti Takaj do të ndërhyjë dhe do ta kthejë klubin në nivelin që ka qenë, ndërsa do të kemi përsëri një Skëndërbe të fortë”, deklaron në mënyrë të prerë Gvozdenoviç.

Moraesh dhe Randi janë ato që Gvozdenoviç pret në këtë merkato dimërore

"Moraesh dhe Randi mendoj se po, por përderisa nuk janë në fushë nuk mund të prononcohem ende", tregon serbi i pankinës korçare.

Ndeshja e parë zyrtare e Skënderbeut është më 18 janar në Kupën e Shqipërisë ndaj Egnatias. Gvozdenoviç është optimist për një paraqitje dinjitoze të ekipit në fushën e lojës.

 “Kemi dhe një javë kohë për të punuar e për të qenë gati. Do të shohim më pas se si do të shkojë në fushën e lojës skuadra", nënvizon Gvozdenoviç.

E në fund, Gvozdenoviç është i bindur se skuadra do ta realizojë ngjitjen në Superiore.

"Unë jam i sigurtë që ky Skënderbe do të ngjitet në Superiore. Nëse punojmë fort dhe të gjithë bashkë do t'i realizojmë objektivat", ka përfunduar trajneri i korçarëve.