RTSH Sport Live

Jurgen Uldedaj, gati për trofe

  • 09/02/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Jurgen Uldedaj, gati për trofe
Boksieri lezhjan sfidon John Franck Mendy të shtunën për titullin IBO Mediterranean

Jurgen Uldedaj dhe Xhon Frenk Mendi përballë njëri – tjetrit, të shtunën, në një mbrëmje magjike boksi në Londër. Një duel me dhjetë raunde për titullin IBO Mesdhetar në peshat e rënda, ndërsa menaxheri i boksierit, Kristian Boçi, është i bindur se Uldedaj do t’i bëjë të gjithë krenarë

"E bëj me pasion, e bëj me shpirt, e bëj për kombin tim. Zoti më ka sjell një engjëll. Më ka sjell një njeri që unë e dua me shpirt. Unë nuk e di se çfarë do të bëjë në rinj. Ne shkojmë për t'u bërë Kampion Bote. Duke e parë që ajo ëndërr ishte thyer në mes, u riktheva pa e kuptuar as vetë se si, besoj shumë se kjo do të ndodhë", thotë Kristian Boçi.

Ndërkohë Jurgen Uldedaj është përgatitur gjatë për këtë ndeshje, që do të shënojë një nga kulmet e karrierës së tij prej gati dhjetë vitesh në boksin profesionist. Ndaj dhe ka premtuar t’i bëjë të gjithë krenarë.

"Jam shumë entuziast të them të drejtën. Me zor po e pres, sepse kemi muaj që po stërvitemi, Na ka mbetur dhe dy ditë, në datën 10 dhe po pres me dëshirë të madhe të ngjitem në ring", shpjegon Uldedaj

Por edhe kundërshtari i tij, Xhon Frenk Mendy, vjen me të njëjtin qëllim, ndërsa do të deklaronte në konferencë për shtyp.

Ndeshje e vështirë dhe shumë e fortë për kundërshtarin që do të kem përballë. Kam punuar shumë dhe mendoj se jam gati për t’u ndeshur. Kam ardhur për të fituar dhe për ta bërë atë brez timin. Premtoj një boks spektakolar”, thotë Mendi.

Ndeshja mes Jurgen Uldedajt dhe Xhon Frenk Mendi për titullin IBO Mesdhetar në peshat e rënda do të vijë drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar duke nisur nga ora 17:00.