RTSH Sport Live

Kampionati i lë vendin Kupës, janë çerekfinalet

  • 26/01/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Kampionati i lë vendin Kupës, janë çerekfinalet
Për gjashtë nga tetë ekipet në garë është mundësia e vetme për Europën

Kampionati i lë vendin Kupës së Shqipërisë, që vë në skenë aktin e parë të çerekfinaleve, me një stafetë interesante derbi: nga Dinamo Tirana në javën e 17-të të Abissnet Superiore, në Dinamo-Partizani në Kupë. Çerekfinalet janë programuar të luhen në dy ditë, të mërkurën dhe të enjten, duke nisur nga sfida e skuadrës së vetme në këtë fazë që vjen nga Kategoria e Dytë. Flamurtari do të presë në Vlorë skuadrën e Vllaznisë, në orën 13:45, me vlonjatët që do të kërkojnë të bëjnë një tjetër mrekulli, por këtë herë përballë një skuadre ambicioze, që është dhe trofembajtëse e Kupës.

Në Rrogozhinë do të jetë një sfidë edhe më emocionuese, me Egnatian që do të presë Laçin, skuadrën më në formë të kampionatit. Pasi nxori jashtë loje Kukësin, skuadra e Ramadanit do të mundohet të bëjë goditjen me kurbinasit, të cilët janë në garë në të dy kompeticionet.

Të enjten përballjet nuk janë më pak sfiduese, me të parët në fushë Skënderbeun e Teutën. Në Korçë finalistët e vjetshëm do të tentojnë të përfitojnë nga situate e vështirë e skuadrës durrsake. Ndryshimi në pankinë mund të ketë efekt të paparashikuar te bregdetarët e është pikërisht ajo që frikëson Memellin.

Ndeshjet e para çerekfinale mbyllen në orën 19:45 me derbin e kryeqytetit. Dinamo nxorri jashtë Tiranën e do të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë dhe me Partizanin, në një ndeshje delikate ku të dy ekipet, Kupën e kanë objektivin primar të sezonit. Europa, për gjashtë nga tetë ekipet në lojë, është me probabilitetin më të madh e arritshme vetëm përmes Kupës së Shqipërisë, duke qënë se e shohin renditjen krejtësisht të kompromentuar.