RTSH Sport Live

Kampionati Kombëtar i Futbollit për Femra, drejt fundit

  • 20/05/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Kampionati Kombëtar i Futbollit për Femra, drejt fundit
Java e 18-të dhe e fundit luhet në 3 ditë, spikat dueli i kreut Vllaznia-Tirana

Kampionati Kombëtar i Futbollit për Femra do të ulë siparin e sezonit të 14-të të hënën, me ndeshjet e javës së 18-të, të cilat  do të luhen të ndara në 3 ditë, të shtunën, të dielën dhe të hënën. Spikat pa dyshim klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana. Pritet që shkodranet të shpallen zyrtarisht “kampione” për herë të 10-të në kampionatin shqiptar në sfidën ndaj Tiranës, teksa vajzat kuqezi mbajnë kreun e renditjes me pikë të plota, 57, të marra pas 17 javësh, 3 më tepër sesa Tirana.

Sidoqoftë, të dyja skuadrat kanë dhuruar spektakël dhe emocione, gola dhe lojë mjaft të bukur gjatë të gjithë këtij sezoni dhe, takimi është planifikuar të luhet ditën e hënë në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke nisur nga ora 16:00, pritet të shndërrohet në një festë të mbylljet të sezonit. Vlen të theksohet edhe fakti se ky sezon është i veçantë për futbollin shqiptar, pasi Vllaznia shkroi edhe historinë e “topkëmbës” së vajzave, pasi mori pjesë, për herë të parë, në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve të Evropës në futbollin e femrave.

Shkodranet u rreshtuan midis 16 më të mirave të kontinentit dhe, pavarësisht rezultateve të marra në një grup tepër të vështirë me më të mirat e Evropës, e çuan një nivel më lart futbollin shqiptar të femrave në arenën ndërkombëtare. Ndërkaq, Partizani do të presë në shtëpi në javën e fundit ekipin e Kinostudios, rivalen direkte për vendin e 4-t në kampionat, teksa ndeshja do të luhet të dielën në stadiumin “Partizani” në kryeqytet, duke nisur nga ora 10:00.

Apolonia do të udhëtojë drejt Kukësit të dielën, një takim i lehtë në letër për fieraket, që është programuar të luhet të dielën, duke nisur nga ora 16:00. Në dy takimet e tjera të javës, Skënderbeu do të përballet të shtunën në shtëpi me ekipin e Laçit, duke nisur nga ora 12:00, ndërsa Lushnja do të presë në shtëpi ekipin e Teutës, teksa sfida është planifikuar të nisë në ora 11:00.

Ndeshjet e javës së 18-të e kampionatit të futbollit të vajzave:

Skënderbeu – KF Laçi 20.05.2023, ora 12:00

Lushnja – KF Teuta, 20.05.2023, ora 11:00

Partizani – Kinostudio, 21.05.2023, ora 10:00

Kukësi – Apolonia 21.05.2023, ora 16:00

Vllaznia – Tirana 22.05.2023, ora 16:00