RTSH Sport Live

Kaosi në Rrogozhinë, çfarë rrezikon Tirana…

  • 26/05/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Kaosi në Rrogozhinë, çfarë rrezikon Tirana…
Bardheblutë në Rrogozhinë mund të humbasin më shumë se një titull

Një penallti çerek ore nga fundi i ndeshjes dhe Tirana pa ti rrëzohet mundi i një sezoni të tërë. Bylis barazoi 2-2 përballë bardhebluve, që luanin në Rrogozhinë si vendas dhe më pas shpërtheu tërbimi i tifozëve mbi Kridens Metën, sipas tyre fajtor për një 11-metërsh të paqenë për të cilin injoroi edhe mundësinë e rishikimit në VAR. Nisi gjuetia për arbitrin nga tifozët që pushtuan fushën e që nuk mundën të përmbaheshin as nga drejtuesit e lojtarët e Tiranës. Penalltia shkaktoi barazimin, barazimi arritjen nga Partizani e praktikisht humbjen e titullut.

Vetëm se tani klubi bardheblu rrezikon të humbasë shumë më tepër se aq. Duke parë precedentët e Kamzës e Tërbunit, që është akoma më i freskët, Tirana rrezikon një dënim të rëndë. Sipas Kodit të Disiplinës Sportive, neni 64, i cili përfshin ngjarjen që ndodhi në Rrogozhinë, bardheblutë rrezikojnë nga gjobë te pezullimi i fushës, humbje në tavolinë e deri te rënia nga kategoria.

Pika 2 e këtij neni frikëson më shumë Tiranën: “Në rastet e shkeljeve të rënda mund të ndërmerren dënime të tjera, si zhvillim i ndeshjes pa spektatorë, zhvillimi i ndeshjes në fushë asnjanëse, ndalimi i zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës, anulimi i rezultatit të ndeshjes, përjashtimi nga një garë ose kampionat, dhe/ose humbje e ndeshjes në tavolinë”.

Mbi bardheblutë rëndon edhe dështimi në përmbushjen e përgjegjësive dhe pika 3/b flet se “në rastin e hyrjes brenda pjesës së rrethuar të fushës së lojës të ndonjë personi, duke shkaktuar akte të dhunës ndaj lojtarëve në fushë, dhe/ose zyrtarëve të ndeshjes, dhe/ose ndërprerje të lojës, ekipi përgjegjës për sigurinë në stadium do të penalizohet me zhvillimin e të paktën 4 ndeshjeve pa spektatorë”.

Nëse Komisioni i Disiplinës dhe Etikës përfshin sjelljen e tifozëve sipas nenit 65 të KDS-së, Tirana rrezikon të paktën tetë javë ndeshje pa spektatorë. Disiplina ka në dorë të gjitha pamjet filmike për të dëshmuar sjelljen edhe të zyrtarëve e lojtarëve të skuadrës, që kanë qenë aktivë gjatë agresionit mbi arbitrat si nxitës apo dhunues.