RTSH Sport Live

Kategoria e Dytë, Luftëtari e nis me barazim

  • 19/09/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Kategoria e Dytë, Luftëtari e nis me barazim
Gjirokastritët ndalen në shtëpi nga skuadra e Përmetit

Luftëtari i Gjirokastrës starton sezonin 2021-2022 në Kategorinë e Dytë pak muaj pas rifillimit të një projekti të ri me logon e Akademisë. Ekipi gjirokatrit që këtë sezon militon në të dytën në të njëjtin grup me Flamurtarin debutoi në stadiumin e shtëpisë me një barazim zhgënjyes 1-1 kundër Përmetit. Nuk arriti ta dominonte ndeshjen skuadra gjirokastrite që këtë sezon pritet të hasë shumë vështirësi në këtë kategori ku edhe niveli është dukshëm më i lartë krahasuar me kampionatin gjysmëamator të së tretës.

Pas nderimit që lojtarët dhe tifozët i bënë figurës së ish trajnerit dhe drejtorit të akademisë, Mustafa Hysi, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë për shkak të një ataku kardiak, ndeshja nisi e vrullshme dhe vendasit kaluan në avantazh me autor Skerdi Matushin në minutën e 23-të. Gjithsesi, ky nuk do të ishte një 90 minutësh i lehtë dhe kjo u vu re gjatë gjithe sfidës që u mbyll në barazim pas goli të shënuar nga Klaudio Hoxha. Një pikë për të dyja skuadrat dhe një start jo shumë pozitiv për bluzinjtë që objektiv të vetëm kanë rikthimin në të parën.