RTSH Sport Live

Kategoria e parë! Besëlidhja - Burreli në RTSH

  • 28/11/2020
  • |
  • Futboll Vendi
Kategoria e parë! Besëlidhja - Burreli në RTSH
Ndeshjet e kategorisë së parë nisin në orën 14.00 dhe mund ti ndiqni në Radio Tirana në emisionin "Nga njëra ndeshje në tjetrën"

Sot luhet Kategoria e parë në të dy grupet e saj. Në Grupin A, bie në sy transferta e Dinamos ndaj Veleçikut. Një ndeshje e sikletshme për blutë, të cilët do të kërkoinë vazhdimësinë e dy javëve të para të cilat i kanë mbyllur me sukses dhe kanë marrë pikë të plota. Ndërkaq, një tjetër skuadër që ka objektiv ngjitjen në elitë është Besëlidhja. Lezhjanët po ashtu kanë triumfuar në dy ndeshjet e para të kampionatit dhe do të kërkojnë tre pikët e radhës në shtëpi ndaj Burrelit, i cili është me pikë të plota në krye të renditjes, së bashku me Korabin. KJo është ndeshja e përzgjedhur për të transmetuar në RTSH Sport duke filluar në 14.00. Sakaq, ndeshja tjetër e ditës së sotme është ajo mes Partizanit B dhe Korabit. Miqtë janë në krye, ndërkohë që kryeqytetasit janë ende në kërkim të pikëve të para. Kjo do jetë sfidë e veçantë edhe për Klevis Dalipin që përballet me ish-skuadrën e tij, Partizanin.  

Lushnja ka mundësinë më të mirë në ditën e sotme të Kategorisë së Parë, Grupi B, për të marrë tre pikët e plota në transfertë ndaj Elbasanit. Këta të fundit i kanë bërë një start negativ kampionatit teksa nuk kanë asnjë pikë pas dy humbjeve të para dhe situata nuk është aspak optimiste, prandaj Lushnja e cila objektiv ka elitën do të kërkojë të shfrytëzojë mundësinë. Ndërkohë, mjaft interesante është sfida mes Egnatias dhe Flamurtarit. Të besuarit e trajnerit Gugash Magani kanë objektiva madhorë në këtë sezon, e këtë e kanë treguar duke marrë shtatë pikë në ndeshjet e para teksa janë në vendin e parë momentalisht.

Ndërkaq, vlonjatët janë në pozita jo komode dhe kanë mbledhur vetëm një pikë në dy ndeshjet e para. Sakaq, ndeshja tjetër është ajo mes Besës dhe Turbinës.

Ndeshjet e sotme

Partizani B - Korabi Peshkopi  

Veleçiku Koplik-Dinamo Tirana

Besëlidhja –Burreli RTSH Sport

Egnatia Rrogozhinë -   Flamurtari    

Besa Kavajë   - Turbina Cërrik  

Elbasani - Lushnja