RTSH Sport Live

Kategoria e Parë: Besëlidhja gjen suksesin e munguar

  • 03/04/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Kategoria e Parë: Besëlidhja gjen suksesin e munguar
Lezhjanët e Alban Brukës mundin 3-1 Partizanin B, vetëm barazim Erzeni e Lushnja

Alban Bruka e ka nisur me fitoren drejtimin e Besëlidhjes, ndërsa lezhjanët kanë fituar 3-1 ndaj Partizanit B në ndeshjen e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Besëlidhja një skuadër racionale, ndërsa Partizani B, edhe pse është dukur sikur ka pasur iniciativën, nuk ka qenë e saktë në momentet e duhura.

Kështu ka provuar Bërdufi në të 5’ dhe në 13’, por shënjestra nuk është e saktë. Dhe lezhjanët, në daljen e tyre të parë serioze, gjejnë golin e avantazhit me Dibrën në të 17’. Madje Besëlidhja ka pretenduar për penallti në të 23’ pas pengimit të njërit prej lojtarëve lezhjan në zonën e rreptësisë së Partizanit B. Por gjithçka ka qenë e rregullt. Vendasit, furtunën e pjesës së dytë e kanë paralajmëruar me Bushin në fundin e 45 minutave të para, ndërsa goditjen e tij e ka pritur Varfi. Sapo nis 45 minutëshi i dytë vjen një tjetër pretendim i lezhjanëve për penallti. Por vetëm goditje këndi pas së cilës Dibra godet me kokë dhe pret Varfi.

E në harkun kohor të pesë minutave Besëlidhja shënon dhe dy herë të tjera në portën e Partizanit B. Fillimisht Bushi në të 58’ dhe më pas Hoxha në të 63’ dhe 3-0. Partizani B ka fituar penallti në të 69’, që është kontestuar nga vendësit. Dhe Allmeta është i saktë nga pika e bardhë dhe 3-1.

Në fundin e lojës, Selimaj e ka shpëtuar Besëlidhjen nga pësimi i golit të dytë dhe përfundimisht tre pikë të arta për lezhjanët.

Ndërkohë në ndeshjet e tjera të Play-out, Erzeni ka barazuar 0-0 me Veleçikun, kurse të njëjtën gjë ka bërë dhe Lushnja, 2-2 me Flamurtarin. E vetmja skuadër që ka fituar në grupin B ishte Turbina, 1-0 ndaj Elbasanit.

KATEGORIA E PARË

Rezultatet/ Grupi A(Play out)

Besëlidhja-Partizani B 3-1

Golat: Dibra 17′, Bushi 58′, Hoxha 64’/ Allmeta 70′

Erzeni-Oriku 0-0

Rezultatet/ Grupi B(Play out)

Lushnja-Flamurtari 2-2

Golat: Cipi 23′, Qoshku 46’/ Aliaj 15′, Diamanti 61′

Turbina-Elbasani 1-0

Golat: Daci 2′