RTSH Sport Live

Komiteti Ekzekutiv i KOKSH-it mban mbledhjen e parw

  • 02/06/2021
  • |
  • Të tjera
Komiteti Ekzekutiv i KOKSH-it mban mbledhjen e parw
Smajlaj mbetet pezull si anëtari i 11-të, Bello mbetet si Sekretar i Përgjithshëm deri në shtator

Komiteti i ri Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), ka zhvilluar të martën pasdite në kryeqytet mbledhjen e tij të parë. Ndonëse ende nuk ka asnjë njoftim për shtyp dhe asnjë informacion nga kanalet zyrtare të organizmit që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare, RTSH Sport ka mësuar se mbledhja ka qenë e mbushur me zhvillime interesante. Kështu, Komiteti i ri Ekzekutiv do të funksionojë, të paktën deri në shtator, kur mund të thirret Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme, me 10 anëtarë, pasi anëtari i 11-të i saj, atleti Izmir Smajlaj, ende nuk e ka marrë mandatin e tij.

Në fakt, kampioni shqiptar i Evropës në kërcim së gjati, ishte zgjedhur si anëtar nëpërmjet votimit nga Komisioni i Sportistëve, duke iu bashkuar kështu Presidentit, Zv/Presidentit, Mbajtësit të Thesarit dhe 7 anëtarëve të tjerë të dalë nga Asambleja e Jashtëzakonshme Zgjedhore e 17 prillit në Tiranë. Por Statuti i KOKSH-it parashikon që kandidatura e Komisionit të Sportistëve të marrë edhe miratimin e Asamblesë, gjë që, për shkak të një gabimi të Komisionit të Verifikimit dhe Etikës, nuk ka ndodhur më 17 prill, çka e mban pezull vendin e shkodranit në Komitetin Ekzekutiv.

Një gjë e tillë i është bërë e ditur Smajlajt në mbledhjen e së martës, ndërsa midis zhvillimeve të tjera ishin edhe përgatitjet për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Sikundër kishte premtuar pas zgjedhjes së tij në Asamblenë e 17 prillit, Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, ka njoftuar Komitetin Ekzekutiv se do të ketë një fond shtesë nga qeveria shqiptare, prej rreth 100,000 Eurosh, për pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar që dfo të marrë pjesë në festivalin sportiv më të madh në planet, që do të zhvillohet në 10-ditëshin e fundit të korrikut dhe atë të parë të gushtit në kryeqytetin japonez.

Ndërkaq, në një tjetër zhvillim interesant, Stavri Bello do të vazhdojë, të paktën deri në shtator, të kryejë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ndonëse ka patur kontestime nga disa anëtarë të Komitetit të ri Ekzekutiv, duke qenë se Bello ka qenë një figurë qendrore e viteve të turbullta që ka kaluar KOKSH-i së fundmi, për shkak të përplasjes së tij me ish-presidentin Viron Bezhani, 63-vjeçari do të vazhdojë ta kryejë këtë detyrë për të paktën edhe disa muaj. Kjo për shkak të përvojës së tij të madhe, që do të jetë e dobishme në mbarëvajtjen e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Tokios.