RTSH Sport Live

Kosova, mbyllje zhgënjyese të eliminatoreve

  • 21/11/2023
  • |
  • Kosova
Kosova, mbyllje zhgënjyese të eliminatoreve
 Mundet 0-1 edhe në Prishtinë nga Bjellorusia, renditet e parafundit në grupin I

Të martën në mbrëmje është zhvilluar në Stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, ndeshja mes Kosovës dhe Bjellorusisë, që ishte edhe e fundit për “Dardanët” në këtë cikël eliminator të “Euro 2024”-së. Asnjëra nga skuadrat nuk ishte në luftë sa i përket kualifikimit për në Evropian dhe Kosova ka mbizotëruar në 20 minutat e para, teksa rastin më të mirë e pati Florent Muslija në të 15-tën, ndërsa provuan edhe Mërgim Vojvoda e Zymer Bytyqi, kryesisht me goditje nga larg, por pa konkretizuar. Ndërkohë Bjellorusia e konkretizoi në gol rastin e vetëm që e kishte, teksa në minutën e 43-të, Dmitrij Antilevskij shënoi një gol të bukur nga për larg duke e kaluar në epërsi Bjellorusinë.

Me këtë epërsi minimale të miqve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të kenë të njëjtën tablo, me Kosovën që mbizotëron dhe provon nga larg, por me miqtë që mbrohen mirë. Nuk ka më gola në 45 minutat e dyta dhe Kosova e ka mbyllur me humbje minimale përballë Bjellorusisë këtë cikël shumë të vështirë eliminator.

“Dardanët” e mbyllin në vendin e parafundit të renditjes në Grupin I, teksa prapa ka lënë vetëm Andorrën. Në 10 ndeshje, Kosova grumbulloi vetëm 11 pikë, që i mjaftojnë për vendin e 5-të, teksa me fitoren e arritur në Prishtinë, Bjellorusia ia doli të renditet e katërta, me 12 pikë. Rumania ka fituar grupin me 22 pikë, ndërsa Zvicra është kualifikuar si e dyta me 17 pikë.