RTSH Sport Live

Kosova, miqësore me skuadër eksperimentale

  • 07/06/2021
  • |
  • Kosova
Kosova, miqësore me skuadër eksperimentale
Shaland ndaj Guinesë dhe Gambias luan me ekipin B, kërkon lojtarë të rinj për kombëtaren A

Kosova dy miqësoret e radhës, të martën ndaj Guineas dhe të premten ndaj Gambian, do t’i luajë me lojtarë të skuadrës B. Të paktën ky është lajmi që vjen nga kampi kosovar, ndërsa Bernard Shaland ka vendosur që të shohë të tjerë lojtarë për skuadrën e tij. Pasi ka mundur San Marinon 4-1 dhe Maltën 2-1 me “armatën e rëndë”, tanimë Shaland ka ndryshuar skemë.

Kështu do të jenë kryesisht lojtarë të ardhur nga Superliga kosovare, por dhe futbollistë që militojnë në kampionatet e Zvicrës, Gjermanisë, apo dhe vendet skandinave. Ato që do të debutojnë për herë të parë në formacionin e Kosovës janë David Domgjoni dhe Florian Loshaj. Por nuk duhet harruar dhe Zejnullahu e Rudhani.

Po pse jo dhe Bekaj i Tiranës, i cili luajti titullar dhe në miqësoren ndaj Maltës, si dhe Broja i Partizanit. Po kështu dhe Haliti. Dhe të dyja këto miqësore ndaj kombëtareve të Afrikës Perëndimore, Guinesë dhe Gambias, kanë qëllimin që 1-2 futbollistë të fitohen për ekipin e parë. Kosova luan në Antalia përballë Guinesë të martën në ora 17:00 dhe po në të njëjtin vend të premten në ora 19:00 ndaj Gambias.

Dhe në historikun e vet si kombëtare, Kosova është hera e parë që luan me skuadra të kontinenteve të tjera, këtë herë me Guinenë dhe Gambian.