RTSH Sport Live

Kosova mund San Marinon, “poker” i Muriqit

  • 01/06/2021
  • |
  • Kosova
Kosova mund San Marinon, “poker” i Muriqit
Në miqësoren e zhvilluar në “Fadil Vokrri”, përfaqësuesja e Kosovës ka arritur një fitore 4-1 përballë San Marinos

Vedat Muriqi e ka mundur i vetëm San Marinon me një poker golash në miqësoren që është luajtur të martën pasdite në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Debutim për Bajselmanin e Idrizin si titullar e Sulejmanin si zëvendësues, kurse e gjithë pjesa tjetër janë titullarë të zakonshëm që Shaland i ka përdorur dhe në ndeshjet e mëparshme.

San Marino ka rezistuar vetëm 28 minuta, ndërsa Muriqi ka hapur serinë e golave. Dhe në minutën e parë shtesë do të shënonte golin e dytë, ndërsa me dopjetën e tij do të mbyllej pjesa e parë. Duket sikur ka uri golash sulmuesi i Lacios, sepse sapo ka nisur pjesa e dytë ka shënuar dhe golin e tretë personal. Dhe e mbyll serinë e golave në të 76’, teksa ishte i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Golin e nderit për San Marinon e ka shënuar Tomazini në të 83’. Tanimë të premten Kosova do të jetë përballë Maltës, kurse më 8 dhe 11 qershor, tashmë në Turqi, do të luajë me Guinenë dhe Gambian. Pra katër ndeshje për Shaland për të bërë gati skuadrën që do të përballojë pjesën tjetër të kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Katar 2022” duke nisur nga shtatori.