RTSH Sport Live

Kosova, Shalondë: Presioni, mbi të dy ekipet

  • 08/10/2021
  • |
  • Kosova
Kosova, Shalondë: Presioni, mbi të dy ekipet
Trajneri i Kosovës dhe portieri Muriç flasin për ndeshjen e së shtunës me Suedinë

Një ditë para ndeshjes kundër Suedisë, përfaqësuesja e Kosovës ka mbajtur një konferencë për shtyp, me trajnerin Bernard Shalondë dhe portierin Arijanet Muriç. Për trajnerin 70-vjeçar, ndeshja e së shtunës në Stokholm nuk është e lehtë as për vendasit.

 “Janë ndeshje ku gjithnjë ka presion për secilën prej skuadrave dhe mendoj që e tillë do të jetë edhe ndeshja e nesërme ndaj Suedisë. Në këtë stadium ka pësuar humbje edhe Spanja që është tregu si më e mirë mbase për nivelin e përafërt të këtij grupi, dhe faktin që presioni është gjithnjë prezent te të gjitha skuadrat dhe kësisoj do të jetë edhe te ekipi ynë siç është në çdo ndeshje tjetër, do të jetë edhe nesër që do të ketë presion për të marrë fitore dhe për të marrë maksimumin qoftë ne qoftë Suedia.”

Për këtë arsye, zvicerani i stolit të përfaqësueses së Kosovës pret një sfidë të fortë nga Suedia.

 “Është e qartë që Suedia është një kundërshtarë shumë i fortë dhe këtë e ka konfirmuar për një kohë të gjatë ndër vite. Kemi pasur parasysh fazën kualifikuese për Kampionatin Botëror “Rusia 2018” kur Suedia ka arritur të eliminojë një kundërshtarë të fortë siç është Italia. Pastaj paraqitjen e tyre shumë të fortë qe e kanë pasur në Kampionatin e fundit Evropian, dhe për kohë shumë të gjatë kanë treguar ndeshje të nivelit shumë të lartë, prandaj presim që të kemi një kundërshtar vërtet shumë të fortë. Është një ekip që luan në mënyrë shumë fizike, është ekip shumë i fortë në aspektin fizik, por po ashtu është një ekip i fortë edhe në aspektin individual të lojtarëve dhe ka futbollistë që mund të bëjnë dallimin në çdo moment, siç janë futbollistët e repartit të tyre sulmues që janë lojtarë me të vërtetë me cilësi të larta dhe mund të bëjnë dallimin brenda një skuadre.”

Ndërkaq, fjalëve të trajnerit u ka bërë jehonë edhe portieri Muriç, i cili nuk e cilëson mangësi për Suedinë faktin se të shtunën nuk do të ketë shërbimet e yllit të Milanit, Zllatan Ibrahimoviç.

 “E thashë edhe më herët që është një lojë që mezi presim ta luajmë, është një lojë që do të jetë shumë e fortë. Kurse sa i përket Suedisë me apo pa Ibrahimovicin Suedia mbetet skuadër shumë e fortë. Megjithatë ne duhet të shohim mënyrën e lojës, dhe ne do të qasemi ashtu siç luajmë zakonisht. Do të bëjmë lojën tonë dhe në atë formë të provojmë të marrim maksimumin ndaj një kundërshtari të fortë siç është Suedia.”

Takimi Suedi-Kosovë luhet të shtunën, duke nisur nga ora 18:00. Spanja kryeson renditjen e grupit B, me 13 pikë, e ndjekur nga Suedia me 9, Greqia me 8, Kosova me 4 dhe mbyll renditjen Gjeorgjia me një pikë të vetme.