Përfaqësuesja e Kosovës ka arritur të marrë një tjetër fitore në Ligën e Kombeve, e dyta, pasi ka mposhtur në “Fadil Vokrri” Irlandën e Veriut me rezultatin 3-2. Një fitore e vuajtur për “Dardanët”, të cilët në fund janë përballur me presionin e kundërshtarit, por që gjithsesi kanë mundur të administrojnë avantazhin e krijuar.
Sfida ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për të besuarit e Zhires, të cilët kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 9-të të takimit me anë të Vedat Muriqit, i cili ka ekzekutuar saktësisht penalltinë e fituar nga Milot Rashica. Një gol që i ka dhënë më shumë zemër skuadrës, e cila ka dyfishuar rezultatin pas 10 minutash. Është Zymer Bytyqi që ka tundur rrjetën me asistimin e Rashicës.
Në fundin e pjesës së parë, në një moment pakujdesie në mbrojtje solli dhe golin e parë për Irlandën e Veriut: Shayne Lavery farë pranë portës ka dërguar topin në rrjetë, 2-1 që është dhe rezultati i pjesës së parë.
Edhe fillimi i pjesës së dytë ka folur për Kosovën, që ka arritur të shënojë edhe njëherë me anë të Vedat Muriqit 52’ pas një krosimi të dhënë nga Lirim Kastrati. Irlanda e Veriut arriti të reagojë në fund, shënoi golin e dytë në minutën e 83-të me anë të Ballard, krijoi dhe raste të tjera, por rezultati përfundimtar është 3-2 për Kosovën, që ngjitet në kuotën e 6 pikëve.
Tani e gjithë vëmendja është tek ndeshja e së dielës, Kosova do të vizitojë Greqinë, në një “finale” që do të vendosë për vendin e parë në grup.