Juventus mundi 1-0 Interin në San Siro në sfidën e javës së 27-të të Serisë A. Kjo është humbja e dytë radhazi për të besuarit e trajnerit Inzaghi, duke i dhënë mundësinë Lacios që të akomodohet e vetme në vendin e dytë. Zikaltërit dominuan pjesën e parë për sa i përket posedimit të topit, por u lanë shumë hapësirë bardhezinjve në fazën e kundërsulmit, të shfrytëzuar në minutën e 23-të nga Kostic, i cili e dërgoi skuadrën e tij përpara.
Goli u vërtetua pas një rishikimi shumë të gjatë nga VAR për dy prekje të dyshimta në fillim të aksionit. Djemtë e Inzaghit tentuan të sulmojnë në pjesën e dytë, por prapavija e Allegrit nuk humbet dhe mbron avantazhin deri në fishkëllimë të trefishtë. Juve ngjitet në 41 pikë, duke rikuperuarr 3 ndaj Romës dhe Milanit dhe duke gjetur veten vetëm 7 pikë nga zona e Ligës së Kampionëve, pavarësisht -15 në renditje.