Skënderbeu – Tirana për femra dhe Tirana – Partizani për meshkuj. Këto janë çiftet finaliste të Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, që këtë të dielë do të luhen në sallën sportive në Farkë dhe në ora 16:30 dhe 19:00 do të vijnë drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Kamera e RTSH Sport ka qenë e pranishme në gjysmëfinalet e femrave, atje ku e përbashkëta është fitorja 3-0. Kjo si për Skënderbeun ndaj Teutës, ashtu dhe për Tiranën ndaj Partizanit. Skuadra e Orlando Kojës, e cila është fituese në fuqi e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, vetëm në setin e tretë ka hasur rezistencën e durrsakeve, që e fitoi në pikët shtesë 26-24.
Më parë skuadra korçare kishte fituar dy sete radhazi, 25-12 dhe 25-17. E njëjta situatë dhe për Tiranën e Adrian Gorencës, e cila me Brahon, Fagun në pozicionin e liberos, Koles, Preçetajt, Pilarczik, Stërmillës, etj arrin ta dominojë Partizanin nga fillimi deri në fund. 25-21, 25-16 dhe 25-10 dhe në fund 3-0. Ndërkohë të premten janë luajtur dhe gjysmëfinalet e meshkujve, ndërsa Tirana ka fituar 3-1 ndaj Vllaznisë dhe Partizani, 3-0 ndaj Studentit.
Dhe Skënderbeu për femra e Tirana për meshkuj janë skuadrat për t’u mundur në këtë aktivitet të parë të sezonit 2024-2025 për rrjetën shqiptare, e cila më pas, kjo që nga e shtuna e ardhshme, do t’ia lërë vendin kampionatit dhe veprimtarive të tjera kombëtare.