RTSH Sport Live

Kupa, katër sfida “ndezin” mesjavën

  • 15/03/2021
  • |
  • Kupa e Shqipërisë
Kupa, katër sfida “ndezin” mesjavën
Dinamo dhe Korabi tentojnë goditjen e madhe, duel “titulli” në Kurbin

Kupa e Shqipërisë rikthen futbollin në mesjavë me 4 sfida vendimtare për të ardhmen e sezonit të 8 skuadrave të mbetura në garë. Ndryshe nga sezonet e kaluara, edicioni i 69 prezanton sfida me përballje teke për shkak të bojkotit 2-mujor, ndërsa si rrallëherë në këtë fazë figurojnë edhe dy skuadra të së parës, Korabi dhe Dinamo, ndërsa në Laç sfidojnë njëra tjetrën dy nga skuadrat më konkurruese të Superligës, Laci dhe Partizani që kthejnë përkohësisht faqe në një kompeticion tjetër të rëndësishëm.

E mërkura do të startojë me dy ndeshjet e para të orës 13:00 pikërisht në Kurbin ku të kuqtë dhe skuadra e Shpëtim Duros që pak ditë më parë ndanë nga 1 pikë në kampinat, tashmë fokusohen te dueli i Kupës. Një 90 minutësh pa favoritë sepse është shumë e vështirë të evidentosh ndryshime të mëdha mes dy skuadrave.

Të dyja klubet nuk e kanë fshehur ambicjen për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni dhe përballja e kësaj mesjave mund të sigurojë një bonus morali për vazhdimësinë e sezoni. Po në këtë orar, Dinamo pret Skënderbeun. Për herë të parë pas 1 dekade, ekipi kryeqytetas garon në nivele të tilla dhe gjen në këtë fazë pikërisht Skënderbeun që përpara 9 vitesh i dha shtytjen finale për t’u rrëzuar në të parën nga ku nuk ka arritur të shkëputet.

Në orën 16:00 Vllaznia mund të kurojë plagët e marra në kampionat pas humbjes ndaj Bylisit. Në “Loro Borici” zbarkon Korabi që këtë fundjavë regjistroi një sukses të rëndësishëm ndaj Burrelit por pavarësisht faktit që skuadra nga Peshkopia mbetet jo favorite në letër, drejtuesit kërkojnë maksimumin për t’u ngjitur sa më lart.

Superdueli tjetër i Superiores do të luhet në “Niko Dovana”, ku mbajtësit në fuqi të këtij trofeu, Teuta pret Kukësin me të vetmen rrugë shpëtimi Kupën për të prekur Europën. Eleminimi i mundshëm nga ky kompeticion do të shënonte fundin e parakohshëm të sezonit për verlindorët, ndërsa Edi Martini dhe djemtë e detit mbeten favoritë edhe pse gjatë dy javëve tyë fundit janë ndalur në dy barazime që reflektojnë ngërcin psikologjik të skuadrës bregdetare.