RTSH Sport Live

Kupa, shansi i Abazajt dhe Balajt

  • 31/01/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Kupa, shansi i Abazajt dhe Balajt
Lojtarët e Kombëtares nuk janë ende në formë optimale

Këtë mesjavë, më saktësisht të enjten dhe të premten, Kupa e Shqipërisë konsumon edhe raundin e dytë të 1/8-ave ku sigurisht ekipet e Superiores janë më të favorizuara për të vazhduar rrugën drejt çerekfinaleve. Në sfidat e para, Tirana, Vllaznia apo Partizani kanë arritur të bindin në lojë por ajo që ka rëndësi, edhe në rezultat dhe në këtë mënyrë, lojtarët në orbitën e Kombëtares të transferuar këtë merkato dimërore në Shqipëri, kanë një mundesi ideale për të zhvilluar seanca stërvitore me karakterin e ndeshjeve zyrtare.

Kështu, Bekim Balaj mund të marrë një 90 minutësh shtesë për t’u zhbllokuar pas provës zhgënjyese në Durrës me Erzenin. Lojtari shkodran ende pa asnjë gol në aventurën me kuqeblutë, ka mundësinë e artë të premten në orën 13:00 në stadiumin “Loro Boriçi” që të fitojë edhe më shumë minuta në këmbët e tij që do t’i shërbejnë më pas për ndeshjen e kampionatit kundër Kukësit po në Shkodër.

Vllaznia do të ndeshet me Bylisin në një përballje pa shumë peshë për shkak të suksesit 2-0 që në sfidën e parë. Kupa vjen në një moment jo të mirë edhe për Kristal Abazajn, i cili numëron vetëm 56 minuta në total në dy ndeshje me bardheblutë. Kundër Kukësit de Erzenit ai u fut në lojë nga pankina.

Tirana sfidon Lushnjen pa asnjë objektiv në Kupë ndërsa rezultati 3-0 në takimin e parë e bën Orges Shehin të jetë i relaksuar. Në këtë mënyrë edhe Abazaj mund të marrë më shumë minuta për të gjetur ritmin që do t’i duhet për t’u rikthyer vendimtar në futbollin shqiptar.