RTSH Sport Live

Laçi, barazimi që nënkupton finale e pestë

  • 13/04/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Laçi, barazimi që nënkupton finale e pestë
Mbyllet 1-1 ndeshja e kthimit me Teutën, kurbinasit sigurojnë vendin në sfidën e 31 majit

Laçi ka siguruar të mërkurën vendin për të 5-tën herë në finale të Kupës së Shqipërisë, tek skuadra kurbinase e ka mbrojtur fitoren 2-1 të arritur në ndeshjen e parë në Durrës, duke marrë një barazim 1-1 në ndeshjen e kthimit në shtëpi përballë Teutës në duelin e parë të gjysmëfinaleve të veprimtarisë së dytë të futbollit në vend, që është luajtur pasdite. Ndonëse vendësit e nisin më mirë, teksa Serxhio Ujka vë në provë portierin mik, Pano Qirko, është Teuta që e gjen golin e para, teksa Emiljano Vila përfiton nga një gabim i mbrojtjes vendase dhe pason për Rubin Hebajn, që nuk gabon dhe përshëndet rrjetën.

Megjithatë, kurbinasit do të reagojnë, duke e zhvendosur lojën në gjysmëfushën mike, por duke arritur ta konkretizojnë epërsinë e tyre vetëm një minutë para fundit të pjesës së parë, kur Adeleke vepron bukur në zonë dhe godet, duke barazuar shifrat 1-1. Me këtë barazi do tpë mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat flasin për kurbinasit, që nuk dëshirojnë të rrezikojnë dhe sulmojnë vazhdimisht. Adekele është protagonist, teksa në minutën e 48-të ul një top të mirë për Guindon, që ndalet nga Qirko, ndërsa në minutën e 65-të provon vetë, por sërish ndalet nga gardiani i portës durrsake, ndërsa dy minuta më pas, pretendon për një 11-metërsh, por më kot, sepse gjyqtari vazhdon lojën.

Laçi vazhdon të këmbëngulë, por Guindo bllokohet nga lojtarët miq dhe në tentativën e dytë lëshon një gjuajtje që shkon mbi kuadrat në minutën e 71-të. Vetëm 6 minuta para fundit të kohës së rregullt Teuta kujtohet të sulmojë dhe Lorenco Vila lëshon një gjuajtje nga brenda zonës, por topi i goditur prej e tij shkon mbi kuadrat. Mbyllet kështu në barazim 1-1 kjo ndeshje e kthimit dhe Teuta i thotë lamtumirë Evropës, ndërsa Laçi siguron një tjetër finale.