RTSH Sport Live

Laçi-Vllaznia, në RTSH

  • 19/03/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Laçi-Vllaznia, në RTSH
Do të luhen sot tri ndeshje të javës së 26-të të “Abissnet Superiore”

Java e 26-të e “Abissnet Superiore” do të vazhdojë ditën e diel me tri ndeshje. Vllaznia do të ketë një provë të vështirë në këtë javë ndërsa do të përballet me Laçin, ora 13:00. Kjo sfidë do të vijë për shikuesit në ekranin e RTSH. Kuqeblutë, sigurisht që do të kërkojnë maksimumin me kurbinasit për të mos u shkëputur nga skuadrat e kreut. Ndërkohë, nga ana tjetër, kurbinasit do të kërkojnë të largohen nga zona e ftohtë e klasifikimit.

Një tjetër sfidë interesante është dhe ajo mes Egnatias dhe Teutës, ora 13:00. Rrogozhinasit nuk dëshirojnë të lëshojnë vendin e tretë në klasifikim, por përballë është skuadra durrsake, që nën drejtimin e trajnerit Martini ka treguar se ka ndryshuar qëndrim.

Java e 26-të e Superiores do të mbyllet me sfidën Partizani-Kastrioti, ora 16:00 në "Stadiumin Partizani". Të kuqtë, që aktualisht mbajnë vendin e dytë, do të kërkojnë tri pikët për të përqafuar vendin e parë që mbahet nga Tirana. Largësia mes vendit të parë dhe vendit të dytë është tri pikë. Krutanët ndodhen në vendin e fundit në klasifikim dhe një tjetër disfatë do të thoshte më pak shpresa për mbijetesë.