RTSH Sport Live

Laporta sulmon Realin dhe tregon kur nis Superliga

  • 23/03/2024
  • |
  • Spanjë
Laporta sulmon Realin dhe tregon kur nis Superliga

Një sulm frontal, pastaj një njoftim i rëndësishëm. Joan Laporta ka folur për polemikat e fundit që kanë përfshirë televizionin zyrtar të Real Madridit, i akuzuar për ndikim në punën e gjyqtarëve spanjollë. Presidenti i Barcelonës, ​​në intervistën dhënë për Mundo Deportivo, nuk heziton të përkufizojë atë që klubi kryeqytetas po bën si të “turpshme”:

“Unë jam ende i zemëruar dhe i indinjuar sepse ajo që po bën Televizioni i Real Madridit është një turp. Çdo javë ata përpiqen të bëjnë presion. Nëse Barcelona do t'i kishte bërë këto video, ata tashmë do të na kishin sanksionuar."

Nga ana tjetër, Barça ecën krah për krah me Real Madridin në projektin e Superligës. Laporta shpjegon se është një çështje thjesht ekonomike dhe se katalanasit vazhdojnë të jenë të përfshirë: "Po ta kishim nisur këtë kompeticion dy vjet më parë, do të kishim bërë shumë para. Do të jetë një garë shumë interesante dhe besoj se do të fillojë në vitin 2025”.