RTSH Sport Live

Legjenda braziliane Zico grabitet në Paris

  • 26/07/2024
  • |
  • Paris 2024
Legjenda braziliane Zico grabitet në Paris
Ish-futbollistit i kanë rrëmbyer çantën me sende me vlerë rreth 500 mijë euro

Legjenda e futbollit brazilian, Arthur Antunes Coimbra, i njohur nga të gjithë si Zico, është grabitur në Paris, ku gjendet si anëtar i delegacionit brazilian në Lojërat Olimpike. 71-vjeçari u grabit teksa gjendej në taksi pasi doli nga hoteli. Ai udhëtonte me një çantë dore, në të cilën kishte sende me vlerë rreth 500 mijë euro, përfshirë një varëse me diamante dhe një orë luksoze, siç bën të ditur Le Parisien.

Gjatë udhëtimit me taksi, makinës iu afruan dy persona, njëri prej të cilëve u mor me shoferin, për t’i tërhequr vëmendjen. Tjetri i rrëmbeu çantën Zicos dhe të dy u larguan me shpejtësi pas arritjes së qëllimit. Para brazilianit, viktimë e grabitësve u bë kombëtarja olimpike e Argjentinës, e cila u grabit para ndeshjes me Marokun.

Zico, i cilësuar si Pelé i bardhë, ka qenë një nga futbollistët më të mëdhenj brazilianë dhe lojtar i kombëtares fantastike braziliane në botërorin 1982, si dhe në botërorët 1978 e 1986.