RTSH Sport Live

Likuidon Kukësin, Vllaznia është e dyta

  • 07/02/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Likuidon Kukësin, Vllaznia është e dyta
Kuqeblutë e Josës e zgjidhin në 45 minuta e rikthehen te fitorja pas dy humbjeve 

Mirel Josa mund të buzëqeshë më në fund. Pas tri ndeshjeve pa fitore mes kampionatit e Kupës, Vllaznia e tij heq qafe Kukësin në javën e 20-të të Superiores, duke u ngjitur në vendin e dytë. Një ndeshje e zgjidhur që në pjesën e parë, ku të besuarit e Hallaçit treguan gjithë limitet e tyre, të fshehura aq bukur në tri ndeshjet e fundit e sidomos kundër kryesuesve të Tiranës. Blutë e riformatuar pas janarit tentuan të imponojnë lojë, por shkodranët e kishin të qartë se rrëshqitjet në këtë pikë të kampionatit kushtojnë. Pas tentativës së Xhonson erdhi përgjigja e kuqebluve me emrin më të pritur, por diagonalja e Balajt tundi vetëm rrjetën e jashtme.

Sulmuesi ka nevojë për kohë përshtatje e minuta në këmbë e duket sikur skuadra e kupton, duke shkuar në konkluzion me shumë lojtarë, për të mos e përqendruar lojën te qendra e tyre. E pikërisht në minutën e 18-të, Herald Marku shpik një nga trajektoret e tij të çuditshme, duke shtangur Halimin. Avantazh i merituar, por që theu edhe fijen e fundit të kurajës që kishte mbetur te Kukësi, që luajti një gjysëm orësh vuajtje, duke u munduar vetëm të pengojë sa mund goditësit shkodranë. E devijuar edhe tentative e Balajt në të 24’, por të gjithë punën e mbrojtjes e shembi portieri në fund të pjesës së parë.

Halimit i shpëton nga duart goditja e fortë por qendrore e Jonuzit, duke fundosur të tijtë nën dy gola e të pafuqishëm për të reaguar. Skenari nuk është se ndryshoi në të dytën, me kuqeblutë që mbajtën inisiativën, por pa kaluar në aventurë të fortë në sigurinë e krijuar. Mala nuk gjeti kuadratin në minutën e 50-të, ndërsa Balaj pa goditjen e tij të bllokohet nga Bytyci edhe në të 71’, duke fituar zëvendësimin me Kaina Nunes.

Sporadik e pa bindje Kukësi, me shtytjen finale nën shenjën e Peposhit e Xhonson, që nuk e lëvizin dot Hallacin nga zona e rënies, edhe pse renditja është e ngjeshur dhe një ndeshje të katapulton jashtë rrezikut. Vllaznia është e dyta, në shoqërinë e Partizanit, por 6 nga Tirana. Josa mund të jetë edhe i kënaqur, nëse sdo të ishte për golat e munguar të Balajt…