RTSH Sport Live

Lineker kritikon lojën e Anglisë

  • 12/07/2021
  • |
  • Futboll Bota
Lineker kritikon lojën e Anglisë
”Duhetë të sulmojnë më shumë. Kemi lojtarë që frikësojnë çdo skuadër”

"Nëse do të ecë përpara, Anglia duhet të luajë më shumë në sulm. Duhet të kemi më shumë guxim për të bërë lojë më sulmuese. Sulmuesit tanë kanë potencialin për të frikësuar të gjitha skuadrat e botës, por duket se ishim vetë të frikësuar për të bërë lojën tonë". Këto janë fjalët e Gary Lineker, në rrjetet sociale, pas humbjes së Anglisë kundër Italisë në finalen e Euro 2020. Ish-sulmuesi anglez e ka sulmuar disa herë skuadrën italiane, gjatë këtij evropiani, por këtë radhë kritikat i janë drejtuar kombëtares së tij. 

Bukayo Saka, vetëm 19 vjeç, ka përjetuar një nga momentet më të vështira të përgjegjësisë që mund t’i ndodhë një futbollisti në karrierë. Futbollisti i Arsenalit u zgjodh për të gjuajtur penalltinë e pestë në finalen e Euro 2020, në Ëembley, kundër lojtarit më të mirë të turneut, portierit Gigi Donnarumma. Mesfushori ka qenë një nga bastet e mëdha të Southgate në dëm të lojtarëve me më shumë përvojë, si Jadon Sancho, Rashford ose Grealish.

Por Saka nuk arriti të shënojë në portën e Donnarummas. Por futbollisti irlandez Roy Keane, ish-futbollist i Manchester United, e ka mbrojtur Bukayo Saka, duke kritikuar Raheem Sterling e Jack Grealish, të cilët nuk morën përgjegjësinë e gjuajtjes së 11-metërshave. "Sterling dhe Grealish, nuk mund të qëndronit indiferent dhe të linit një djalë të ri si Saka të gjuante nga pika e bardhë përpara jush. Jo nuk duhet. Ju nuk mund të lini një 19 vjeçar të ndrojtur të godasë nga pika e bardhë, në një moment të vështirë e vendimtar të një ndeshje të madhe. Ju keni më shumë përvojë. Sterling ka fituar tituj. Ai duhet të gjuante 11 metërshin para një fëmije” – ka thënë Keane.

Për shkak të këtij dështimi, 19-vjeçari është fyer në rrjetet sociale, por ka patur mbështetjen e Federatës Angleze të Futbollit, kryeministrit Boris Johnsons dhe vetë trajnerit Southgate. Federata Angleze e Futbollit ka dënuar të gjitha format e diskriminimit rracist , kundër futbollistëve anglezë, Rashford, Sancho e Saka, të cilët humbën 11 metërshat.

Kryeministri britanik ka thënë: “Futbollistët e kësaj skuadre meritojnë të vlerësohen si heronj. Dhe jo të fyhen nëpër rrjetet sociale. Përgjegjësve të këtyre fyerjeve duhet t’u vijë turp nga vetja” – ka thënë ai.