RTSH Sport Live

Ljuis Hemilton, sa shumë dilemma për të ardhmen!

  • 11/01/2022
  • |
  • Formula 1
Ljuis Hemilton, sa shumë dilemma për të ardhmen!
 Piloti britanik i “Mercedes”-it vazhdon të heshtë, në pritje të hetimit të FIA-s

Thuajse një muaj pas finales së shumëdiskutuar të sezonit të shkuar të Formulës 1, mbetet ende e paqartë e ardhmja e Ljuis Hemiltonit në këtë sport, teksa në mars nis sezoni i ri. Piloti britanik e humbi në mënyrë kontradiktore titullin e kampionit të botës në xhiron e fundit të garës së fundit të Çmimit të Madh të Abu Dhabit më 12 dhjetor, por skuadra e tij, “Mercedes”-i, e tërhoqi ankesën e saj mbi këtë ngjarje dhe Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), premtoi një hetim mbi episodin që mori shkas nga procedura e “Makinës së Sigurisë”.

Ky hetim u bë i ditur më 15 dhjetor 2021, por mbetet për t’u parë nëse përfundimi i tij do të ketë ndonjë ndikim në vendimin e Hemiltonit për t’u tërhequr apo për të provuar të synojë një titull të 8-të të kampionit të botës, që do ta fuste atë në histori. Kur kanë mbetur edhe vetëm 69 ditë nga gara e parë e sezonit të ri, Çmimi i Madh i Bahreinit, është ende e pasigurt nëse Ljuis Hemilton do të jetë në vijën e nisjes.

Duke qenë se, sipas kreut të skuadrës së “Mercedes”-it, Toto Volf, zhgënjimi që kishte pësuar në atë fundsezon ishte i pamatë, duket se gjithçka do të varet tashmë nga rezultatet që do të dalin nga hetimi i FIA-s mbi ngjarjet e Abu Dhabit. Por “Mercedes”-i kërkon rezultate konkrete dhe i kërkon ato të mos vonojnë, sepse çdo vonesë përkeqëson çështjen me Hemiltonin.

Sezoni i ri prej 23 garash nis në fundjavën e 18-20 marsit 2022, por provat parasezonale me makinat e gjeneratës së re pritet të nisin më 23 shkurt. Vetë Hemiltoni nuk ka folur që nga ajo garë e fundit, kur pati deklaruar se “ne dhamë gjithçka dhe kurrë nuk u dorëzuam dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Sa i përket vitit që vjen, do të shohim...”.

Por që nga ajo kohë, as ai e as përfaqësuesit e “Mercedes”-it nuk kanë folur mbi të ardhmen e tij, duke shtuar edhe më tepër dilemat e mbi të ardhmen e tij.