RTSH Sport Live

Majlinda Kelmendi i jep fund karrierës

  • 26/07/2021
  • |
  • Kosova
Majlinda Kelmendi i jep fund karrierës
Humbja me hungarezen Pupp ka bërë që ish-kampionia olimpike të marrë këtë vendim

Në Tokio 2020, Majlinda Kelmendi nuk bëri dot atë që di të bëjë më mirë, të fitojë… e ndoshta humbja e pësuar përballë hungarezes Pupp, ka bërë që xhudistja e shkëlqyer kosovare ti shikojë gjërat ndryshe. Nuk shpjegohet në mënyrë tjetër vendimi i papritur i Kelmendit, për ti dhënë fund karrierës në këtë sport, në një deklaratë për KTV-në. “Unë ndoshta këtë vit kam qënë në dyshim, të largohem apo të vazhdoj, për shkak të lëndimeve. Por në momentin e fundit kam vendosur të garoj në Lojërat Olimpike”.

“Fatkeqësisht nuk shkoi si duhet, nuk është se nuk isha në formë, por nuk ishte dita ime. Për mua kjo ka qënë gara e fundit, pavarësisht se nuk e kam pritur se mund të shkonte kështu. Ishte e shkruar, të gjitha i kam fituar, i kam sjellë Kosovës mjaft emocione, mjaft lot, është radha e të tjerëve. Do të jem afër Tonit, duke u munduar të nxjerrim talente të tjera”, ka deklaruar Kelmendi.

Xhudistja në fakt ka fituar çdo gjë që mund të fitohet, duke qënë sportistja më e famshme në Kosovë. 30-vjeçarja që ka përfaqësuar edhe ngjyrat e Shqipërisë, ka garuar në tri Olimpiada, ndërsa në “Rio 2016” i dhuroi Kosovës medaljen e parë të artë olimpike. Ka fituar dhe dy tituj kampion bote, si dhe ka në karrierë dhe një medalje të bronztë në botëror, që i shtohet katërt të artave europiane e një të bronztë, ndërsa ka fituar shumë turne Grant Slam e Grand Prix, si dhe një herë Masters.