RTSH Sport Live

Maks Verstapen fiton edhe në Montreal

  • 19/06/2022
  • |
  • Formula 1
Maks Verstapen fiton edhe në Montreal
I bën ballë sulmit të Karlos Sainzit, gara erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së

Botërori i Formulës 1, që po vjen edhe këtë sezon për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka zhvilluar të dielën garën e 9-të të këtij sezoni, Çmimin e Madh të Kanadasë, që ka kurorëzuar si fitues Maks Verstapenin.

Piloti holandez i “Red Bull”-it i ka bërë ballë një sulmi në xhirot e fundit nga piloti i “Ferrari”-t, Karlos Sainz, duke korrur fitoren e 25-të në 150 garat e karrierës së tij dhe të 6-tën në këto 9 gara të këtij sezoni, pasi triumfoi edhe në pistën e Montrealit.

Në fakt, Verstapen e ruajti vendin e parë në nisje, përtej sfidës së Alonsos, që u ndoq nga afër nga Sainz dhe Hemilton, por skuadra e “Red Bull”-it humbi njërën nga makinat, pasi Serxhio Perez u tërhoq nga gara pas vetëm 9 xhirosh, për shkak të problemeve mekanike, ndërsa nga xhiro e 10-të e deri në atë të 49-të vijoi loja me strategjitë e ndalimeve për ndërrimet e gomave, që panë kryesimin e garës të ndërronte duar me radhë, nga Verstapen, tek Alonso e tek Sainz, me këtë të fundit që po i pakësoheshin mundësitë në kryesim për shkak të konsumimit.

Por aksidenti i çuditshëm i Juki Tsunodës sapo kishte dalë në pistë nga ndërrimi i gomave, bëri që në xhiron e 50-të të futej në pistë makina e sigurisë dhe Sainz përfitoi, duke u futur të ndërronte gomat dhe duke dalë e duke marrë vendin e dytë pas Verstapenit.

Dhe, me largimin nga pista të makinës së sigurisë, vijoi një betejë e ethshme për vendin e parë midis holandezit dhe spanjollit, por piloti i “Red Bull”-it e mbrojti vendin e parë dhe fitoren, kurse Sainz u detyrua të kënaqej me vendin e dytë dhe vendin e 3-të e mori Ljuis Hemilton, që u rikthye në podium pas 8 garash.

Një garë e shkëlqyer edhe për pilotin tjetër të “Ferrari”-t, Sharl Lëklerk, i cili u nis nga vendi i 19-të, por e mbylli në vendin e 5-të, duke marrë 10 pikë të vyera për renditjen e përgjithshme të pilotëve.