RTSH Sport Live

Mançester Junajtid, Solskjaer ndez “alarmin e kuq”

  • 17/10/2021
  • |
  • Angli
Mançester Junajtid, Solskjaer ndez “alarmin e kuq”
1 pikë në tre ndeshje, tekniku premton ndryshime: Do rishoh zgjedhjet në formacion

Manchester United pësoi humbjen e dytë në Premier League këtë sezon kundër Leicester dhe tani situata te Djajtë e Kuq ka filluar të bëhet e komplikuar sa i përket luftës për titull. Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer është -5 pikë nga Chelsea dhe pakënaqësitë e para kanë filluar. Cristiano Ronaldo nuk ka shënuar në tre ndeshje të kampionatit.

Ka një debat të madh rreth performancës së CR7 por është performanca e të gjithë grupit që ngjall habi. United ka treguar brishtësi në mbrojtje dhe pak ide në fazën e sulmit që ngrenë një kambanë alarmi brenda skuadrës. Duke folur për këtë situatë të vështirë ishte edhe trajneri Solskjaer.

"Ju më pyesni mua çfarë ndodhi, por të njëjtën pyetje u bëj edhe unë juve. Ishte një ndeshje të cilën e kishim nën kontroll, megjithatë në ato 5 minuta të çmendura, ku Leicester shënoi dy herë dhe ne një, pashë që skuadra nuk ishte në ekuilibër. Pati një mungesë përqendrimi  apo nënvlerësim në ato momente, megjithatë këtu dua të ndalem, pasi ne nuk mund t’i lejojmë vetes të marrim dy gola në harkun e 5 minutave. Ndoshta duhet të rishoh zgjedhjet në formacion" Përfundoi tekniku norvegjez. Tani e vëmendja është në dy sfidat e ardhshme, Atalanta në Ligën e Kampionëve dhe më pas Liverpool në Old Trafford.