RTSH Sport Live

Mane, një “Oktoberfest”… pa birrë?!

  • 30/08/2022
  • |
  • Gjermani
Mane, një “Oktoberfest”… pa birrë?!
Senegalezi dhe marokeni Mazraui spikatin në foton tradicionale të Bajernit

Oktoberfesti është një nga festat më popullore dhe më të mëdha në Gjermani. Natyrisht, lajtmotivi kryesor i kësaj feste është birra, teksa përgjatë 16 apo 18 ditëve që zgjat ky eveniment që tërheq mbi 6 milionë turistë në Gjermani, konsumohen 7 deri në 8 milionë litra birrë.

Pjesë e këtij rituali është edhe Bajerni i Mynihut dhe klubi i famshmë bavarez ka publikuar edhe foton tradicionale me veshjen “Lederhosen”.

Sidoqoftë, në foton e këtij viti bie në sy fakti se vetëm dy nga 31 lojtarët e gjigandes bavareze nuk kanë në dorë gotat e famshme 3-litërshe të mbushura me birrë.

Bëhet fjalë për senegalezin Sadio Mane, i pari ulur në të djathtë të fotos, dhe marokenin Nusair Mazraui, i dyti majtas në rreshtin e 3-të më këmbë.

Të dy lojtarët janë besimtarë muslimanë praktikues dhe besimi islam e ndalon kategorikisht konsumimin e alkoolit. Për këtë arsye, Mane nuk ka gotë birre, ndërsa pëllëmbët e duarve i ka vendosur mbi gjunjë, ndërsa Mazraui i mban duart lidhur prapa.

Natyrisht, jetojmë në epokën e globalizimit dhe klubi bavarez e ka respektuar këtë të drejtë të dy lojtarëve të vet myslimanë, duke fituar njëkohësisht edhe respektin e miliona myslimanëve anembanë botës.