RTSH Sport Live

Mbreti Filip “bekon” Belgjikën

  • 11/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
Mbreti Filip “bekon” Belgjikën
Ai i uroi futbollistëve suksese, me shpresën te trofeu i Euro 2020

Belgjika do të përballet me Rusinë të shtunën, në ndeshjen e parë të finaleve të Euro 2020. Shpresat janë të mëdha për skuadrën belge, ndërsa janë duke bërë përgatitjet e fundit për sfidën e parë të fazës së grupeve. Përpara nisjes, futbollistët u vizituan nga mbreti i Belgjikës Philippe, ndërsa ndodheshin në qendrën e tyre të trajnimit në qytetin e vogël të Tubize.

Kapiteni Eden Hazard e prezantoi mbretin Philippe me lojtarët e skuadrës. Mbreti i uroi atyre suksese në Euro 2020 duke shpresuar të sjellin edhe trofeun. E më pas mbretit iu dhurua edhe fanella e kombëtares e Euro 2020 duke bërë edhe një foto me të gjithë grupin e lojtarëve.

Pasi të luajnë me Rusinë, Djajtë e Kuq do të vazhdojnë fazën e grupeve me ndeshjet kundër Danimarkës dhe debutuesve të Finlandës. Ende në kërkim të një trofeu të parë ndërkombëtar, Belgjika u eliminua në çerekfinalet e Euro 2016, ndërsa performanca e tyre më e mirë në skenën botërore ishte fitimi i vendit të tretë në Kupën e Botës  në 2018.