Mundja ka shpërndarë medaljet e fundit në Kampionatin Europian të moshës deri në 23 vjeç, i cili ka ulur siparin këtë të premte në sallën olimpike “Feti Borova”. Gjithçka ka ardhur drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa Gjeorgjia, kjo në stilin greko-romak, ka marrë dy medalje të arta. Fillimisht në peshën deri në 60 kilogram, teksa Kashidze ka mundur 9-0 mundësin izraelit Fetene.
Më pas në peshën deri në 67 kilogram, Kozrevanidze fitoi 3-1 me mundësinë e Federatës Botërore të Mundjes, Makaranka. Azerbajxhani merr të artën e parë me Nurulajev, kjo në peshën deri në 72 kilogram, teksa fitoi 3-1 me Grigoriev të Federatës Botërore të Mundjes. Moldavia shkon në numrin dy të medaljeve të arta, ndërsa në peshën deri në 82 kilogram, Solovei triumfoi 3-1 ndaj Gadzhiev të Federatës Botërore të Mundjes.
Dhe po dy medalje të arta ishin dhe për Ukrainën, teksa në peshën deri në 97 kilogram, Jakushenko mundi 4-1 estonezin Karelson. Gjeorgjia ishte skuadra që triumfoi si Kampione Europe në stilin greko-romak, ndërsa la nga pas Ukrainën dhe Turqinë. Për Shqipërinë, Ardit Zeneli nuk shkoi më shumë se sa raundi i dytë i ripeshkimit në peshën deri në 67 kilogram.
Fitoi me italianin Setti, 4-1, por më pas u mund nga polaku Salimov, 0-9. Në këtë mënyrë, Shqipëria e ka mbyllur pa medalje Kampionatin Europian të moshës deri në 23 vjeç në mundje.