Bashkia e Tiranës do të shpërblejë tri mundësit shqiptarë, me origjinë ruse, me nga një apartament secili për arritjet e tyre në Lojërat Olimpike në Paris 2024.
"Ne kemi pasur disa diskutime me Zelimkhan [Abakarov], me Islam [Dudaev] dhe me Chermen [Valiev] që ata të jenë jo vetëm rezidentë të Tiranës për çështjet sportive, por edhe rezidentë fizikë në Tiranë. Kështu që ne do u japim si shpërblim tri apartamente për secilin prej tyre, që t'u krijojmë kushtet në mënyrë që Tirana të mos jetë vetëm vendgrumbullimi dhe i stërvitjes, por të jetë edhe vendi ku jetojnë me familjet e tyre, ku janë të dedikuar me kohë të plotë për këtë punë," tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Kryetari Veliaj foli për RTSH 24 ndërkohë që Dudaevi ndodhej në podium për medaljen e bronztë olimpike në peshën 65 kg, të siguruar vetëm pak minuta më parë kundër sfiduesit hungarez Iszmail Muszukajev.