Benjamin Mendy e dërgon Manchester Cityn në gjykatë për të kërkuar paga të papaguara nga shtatori 2021 deri në korrik 2023, kur mbrojtësi francez doli në gjyq për disa akuza për përdhunim, nga të cilat ai u lirua më vonë. ‘Telegraph’ ka marrë deklaratat e lojtarit aktual të Lorient. "Disa lojtarë të ekipit të parë të City-t, përfshirë kapitenin e klubit, ishin të gjithë të pranishëm në festat ku mora pjesë dhe organizova”, shpjegoi ai.
"Ne të gjithë pinim alkool. Të gjithë kishim marrëdhënie të rastësishme me femra. Të gjithë kemi shkelur kufizimet e Covid-19. Kjo nuk e justifikon sjelljen time, por mendoj se është e padrejtë që klubi më ka vënë në shënjestër ashtu siç e ka bërë. Dallimi mes meje dhe lojtarëve të tjerë është se unë isha i akuzuari për përdhunim dhe i poshtëruar publikisht”.
Mendy nuk i jep emrat e lojtarëve të cilëve u referohet. Në kohën kur Mendy fillimisht u hetua nga policia, mesfushori brazilian Fernandinho ishte kapiten i klubit. Më përpara, në karrierën e Mendy në Etihad, Vincent Kompany dhe David Silva ishin kapitenët e ekipit.
Mendy, i cili pretendon më shumë se 10 milionë euro paga të prapambetura, u lirua nga gjashtë akuza për përdhunim dhe një akuzë për sulm seksual në janar të vitit të kaluar.