RTSH Sport Live

Merkato milionere në dalje e Superiores

  • 23/01/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Merkato milionere në dalje e Superiores
Kthehet Lushkja, Balaj dhe Abazaj, por largohen për shuma të majme Skuka, Bitri dhe Xhixha

Midis rikthimeve të bujshme, por edhe largimeve po aq të bujshme, Kategoria Superiore e ka ngritur stekën e saj në këtë thyerje të viteve, duke dëshmuar edhe një herë se e ka potencialin e thithjes së të ardhurave që përafrohen, të paktën, me nivelin e rajonit. Ka ardhur Bekim Balaj dhe Kristal Abazaj, dy lojtarë që e kanë prekur fanellën e Kombëtares më parë, por edhe Regi Lushkja, në operacione financiare që kanë qenë padyshim mbi nivelin mesatar të atyre që ndodhim rëndom në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.

Por, në krahun tjetër, vetëm në 48 orët e fundit kanë lënë kampionatin shqiptar 3 futbollistë të tjerë, që pritet të sjellin shuma të majme në arkat e klubit. Kështu, të hënën në mesditë është konfirmuar se Redon Xhixha është lojtari më i ri i Karabagut. Sulmuesi u përshëndet me skuadrën dhe stafin teknik të Tiranës, para nisjes së tij drejt Azerbajxhanit, ku do të firmosë me klubin e kampionëve në fuqi. Xhixha do të firmosë një kontratë 3.5-vjeçare me klubin azer, në një transferim me vlerë 550 mijë euro, pa llogaritur këtu shpërblimet shtesë.

Ndërkaq, të dielën, Eneo Bitri dhe Xhuliano Skuka i kanë dhënë lamtumirën, pasi të dy futbollistët do të vazhdojnë karrierën jashtë Shqipërisë. Eneo Bitri do të luajë në vijim te Banjik Ostrava në Republikën Çeke, ndërsa Xhuliano Skuka do të firmosë së shpejti me skuadrën e Metz në Ligën 2 në Francë. Skuka do t’i nënshtrohet testeve mjekësore te Metz, e më pas do të firmosë një kontratë 3-vjeçare me francezët.

Ai është padyshim një prej shitjeve më të bujshme nga një klub shqiptar, teksa francezët e Metzit do të derdhin në arkën e Partizanit një shumë prej 1 milionë eurosh, aq sa kishte kërkuar edhe publikisht klubi i kuq për lënien e lirë të sulmuesit dibran. Sa i përket transferimit të mbrojtësit Eneo Bitri në klubin çek të Banjik Ostravës, bëhet fjalë për një transferim në kufijtë e 250,000 eurove, teksa kontrata është 18-mujore.

Interesant është fakti se në udhëtimin e tyre jashtë Shqipërisë të dielën, të dy futbollistët e kuq kanë qenë në të njëjtin avion. Duhet theksuase se lajmi i keq është se Xhuliano Skuka dhe Redon Xhixha janë edhe golashënuesit më të mirë të gjysmës së parë të sezonit, teksa kanë realizuar së bashku 21 nga 51 golat që Partizani dhe Tirana kanë realizuar në këto 17 javë të parë.

Por lajmi i mirë është se ata u kanë sjellë miliona euro klubeve të tyre dhe ky padyshim është një ogur i mirë për futbollin shqiptar.