Më datë 19 janar pritet të rifillojë sezoni i mbetur i Kategorisë së Parë. Një pjesë e madhe e skuadrave nxitojnë për t’u përforcuar dhe për të marrë ato elementë që i nevojiten për të arritur objektivat. Flamurtari është skuadra më aktive.
Vlonjatët kanë rikthyer Idriz Bathën dhe Gersi Diamantin. Ish-mesfushori i Partizanit dhe Tiranës pritet ti japë më tepër kualitet dhe eksperiencë mesfushës, pa harruar edhe Sebastian La Torren, sulmuesi i cili erdhi nga skuadra e Kukësit. AF Elbasani është mjaftuar me firmën e Ardit Hilës, mesfushori i cili mbylli aventurën me Tiranën.
Bylis po kryeson me meritë kampionatin, dhe në ekipin ballshiot nuk është se ka lëvizje sa i përket afrimeve. Deri më tani është larguar portieri Bruno Puja, me drejtuesit që janë vënë në lëvizje për të marrë një portier që mund të garantojë siguri. Lushnja është një prej skuadrave që ka firmosur me dy të huaj, sulmuesin nga Bregu i Fildishtë Ibrahim Romeo Olola dhe brazilianin Henrique Quadros.
Sulovari është një tjetër afrim i rëndësishëm, me mesfushorin i cili vjen nga skuadra e Besës. Pjesa më e madhe e skuadrave të tjera nuk është se kanë ndërhyrë në merkato, disa prej problemeve financiare dhe disa, kërkojnë të ruajnë grupin aktual.