RTSH Sport Live

Mirel Josa largohet nga Vllaznia

  • 19/03/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Mirel Josa largohet nga Vllaznia
Klubi ka njoftuar ndërprerjen me mirëkuptim të bashkëpunimit me trajnerin kryeqytetas, skuadra do të drejtohet nga dyshja Miloti-Sinani

E papritur, por e vërtetë: Mirel Josa nuk do të jetë më trajner i Vllaznisë. Klubi kuqeblu ka njoftuar ndërprerjen me mirëkuptim të bashkëpunimit me trajnerin kryeqytetas gjatë mbrëmjes së sotme. Rezultatet e skuadrës shkodrane në ndeshjet e fundit, duke sjellë dhe një distancim prej 7 pikësh me kreun, duket se kanë ndikuar në marrjen e këtij vendimi.

Vllaznia aktualisht ndodhet në vendin e pestë me 37 pikë, po aq sa ka dhe Erzeni i vendit të katërt, ndërsa vendi i tretë është vetëm një pikë larg. Në vazhdim, sipas njoftimit të klubit, skuadra do të drejtohet nga Auron Miloti dhe Vioresin Sinani.

Njoftimi i klubit:

Klubi i Futbollit Vllaznia njofton se ka ndërprerë me mirëkuptim bashkëpunimin me trajnerin Mirel Josa. Falenderojmë trajnerin Josa për kontributin e dhënë në drejtimin e ekipit duke i uruar suksese në angazhimet e ardhshme!

Ekipi do vijojë punën nën drejtimin e trajnereve Auron Miloti dhe Vioresin Sinani.