RTSH Sport Live

Misioni “superior” vazhdon për Korabin

  • 11/05/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Misioni “superior” vazhdon për Korabin
Dibranët u renditën të 3-tët në’ Kategorinë e Parë, pret të njohë kundërshtaren e “play-out”-it

Nuk arriti dot të siguronte automatikisht ngjitjen në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm, por misioni ende nuk ka mbaruar për Korabin sa i përket misionit për të siguruar vendin në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Skuadra dibrane e mbylli sezonin e rregullt të nivelit të dytë të kampionatit, Kategorisë së Parë, në vendin e 3-të, teksa këtë vit u luajt me skemën e re, pra me një grup të vetëm që ishte i përberë nga 16 ekipe dhe jo më e ndarë në grupe gjeografike, veri-jug, si në sezonet paraardhëse.

Kështu, pas 30 javësh, dibranët kanë grumbulluar gjithsej 59 pikë dhe, duke qenë në vendin e 3-të,  tashmë do të marrin pjesë në fazën e “Play-Out”-it, ku do të luftojë për ngjitjen një shkallë më lart me skuadrën që renditet në vendin e 8-të në Kategorinë Superiore. Sidoqoftë, këtë vit Korabi mbetet i pamposhtur në ndeshjet e luajtura në Peshkopi, ku nuk ka asnjë humbje.

Në 30 ndeshje, ekipi dibran ka korrur 17 fitore, ka marrë 8 barazime dhe ka pësuar 5 humbje. Skuadra ka shënuar 35 gola dhe ka pësuar 22, por duhet theksuar se. në 15 ndeshje. e ka mbajtur rrjetën e portës të pa prekur. Tanimë Korabi pret të njohë kundërshtaren në “play-out”, që sipas të gjitha gjasave do të jetë Egnatia e Rrogozhinës.