RTSH Sport Live

Moisi Dalipi dhe “Yje në fushën time”

  • 18/03/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Moisi Dalipi dhe “Yje në fushën time”
Promovohet libri që sjell figurat e sportit vlonjat në 100-vjetorin e Flamurtarit

“Yje në fushën time”. Kjo është vepra e parë e Mjeshtrit të Madh, gazetarit të njohur sportiv dhe komentatorit vlonjat, Moisi Dalipi, që këtë të shtunë është promovuar në Vlorë. Një promovim që vjen në 100-vjetorin e themelimit të klubit sportiv Flamurtari, ndërsa në të kanë marrë pjesë njerëz të sportit, legjenda ndër vit, autoritete të larta të shtetit dhe të politikës, si dhe drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit. Redaktori i librit, Fatmir Mëneri, ka vlerësuar jo vetëm kontributin e Moisi Dalipit, por dhe faktin se kjo vepër ishte detyrim për futbollin e viteve 80-të.

"Detyrim ndaj personazheve të tjerë dhe familjeve sportive që kanë shkruar pjesë të historisë së sportit tonë. Detyrim për të gjithë ata që do ta marrin ndër duar dhe do të lexojnë çka është shkruar në të. Thënë këto edhe detyrimi për të bërë plotësisht detyrën në përpjekje për ta paraqitur sa më hijshëm përpara jush punën e Moisiut", thotë Fatmir Mëneri.

Për Kreshnik Çipin, Moisi Dalipi është trashigimtari i denjë i figurave sportive, kurse puna e tij hulumtuese është kolosale.

"Ky qytet ka prodhuar kaq shumë sportistë të nivelit të lartë sa që është kjo që tha ai pak më parë. Kam frikë të përmend emra sepse janë shumë e ndoshta për momenti do të gaboj e do të harroj dikë ose do të duhet një kohë e gjatë që unë t'i përmend të gjithë", shpjegon Kreshnik Çipi.

Një vlerësim ka ardhur dhe kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa

"Do ta falënderoj Moisiun për këtë libër i cili plotëson bibliografinë sportive shqiptare, por në mënyrë të veçantë atë të Vlorës", nënvizon Aleksandër Çipa.

Madje një urim i veçantë ka ardhur dhe nga zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Lutfi Nuri, ndërsa një fanellë e kombëtares me numrin 10-të ka shkuar për Moisi Dalipin.